subscribe
Versace i pavdekshëm: Si një sfilatë e vetme riktheu gjigandin e modës

Stil

Versace i pavdekshëm: Si një sfilatë e vetme riktheu gjigandin e modës

Më: 17 janar 2018 Në ora: 12:21

Nga gjithë eventet që u mbajtën për Javën e Modës në Milano, vetëm një do të mbahet mend gjatë: Versace!

Jetojmë në kohën e Gucci-t dhe Balmain, Givenchy dhe Dolce & Gabanna. Fama jetëgjatë e këtyre shtëpive të modës nuk është rastësore. Prej kohësh janë fokusuar në marketingun mes figurave të njohura si Beyonce e Kim Kardashian-it me gjithë motrat e saj. Versace mbeti në hije pasi kishte vetëm një emër të tillë, Jennifer Lopez-in. Nëse të zinin sytë Versace, ishte ose në trupin e JLo, ose në tapetin e kuq të Oscar-ëve. Shumë pak prezencë për një shtëpi kaq famoze.

Donatella Versace ktheu të kaluarën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në nder të jetës së vëllait të saj dhe jo fundit të tij tragjik, gjeniut inovator, Gianni Versace, ajo ripërdori printet e famshme të brandit në linjë me trendet e sotme. I bëri stilimet ikonike të dukeshin të freskëta, të reja dhe të sapoideuara. Koleksioni ishte i mbushur me xhinse me bel të lartë, korse, funde të gjatë, çanta brezi, bluza me logo dhe çizme me gurë. Madje një nga fustanet e veshura në këtë sfilatë ishte origjinali i qepur në koleksionin e ’92. Puna që u desh për të bërë atë fustan ishte aq ekstensive, sa nuk dilte koha për ta replikuar për sfilatën në Milano.

Të tjera fustane u morën nga arkivat, kësaj here të koleksionit Metal Mesh të ’94 për pesëshen me supermodelet e para, Naomi Campbell, Carla Bruni, Cindy Crawford, Claudia Schifer dhe Helena Christensen. Prezenca e këtyre grave supermodele, të gjitha mbi 45 vjeçe, iu dha një mësim gjithë industrisë së modës për mënyrën si duhet të duket një modele. Të gjata, të tonifikuara, femërore, të rritura dhe me vështrim therës. Këto ikona pasarele erdhën kaq larg pikërisht prej Gianni Versace-s.

Është e pamundur t’i gjykosh veshjet e këtij koleksioni. Koha e ka bërë këtë para nesh dhe i shpalli fitimtare. Vizioni i Gianni-t ishte i jashtëzakonshëm dhe i pakohë. Njëzetë vite më vonë, të gjitha veshjet e rikthyera janë të përsosura deri në detaje. Gianni e dinte që bukurinë dhe vulgaritetin i ndan një fije e hollë dhe këtë parim e mbajti gjallë edhe motra e tij. Ky koleksion ishte një deklaratë e heshtur që premton të mbajë gjallë trashëgiminë e Versace-s për gjithë brezat që do të vijnë.

Image
Image
 
Image
 
Image