subscribe
35-vjeçarja kërkon ndihmë: Kam 2 muaj e fejuar, por kam një shqetësim të madh

Rrefime

35-vjeçarja kërkon ndihmë: Kam 2 muaj e fejuar, por kam një shqetësim të madh

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 16:15
Ilustrim

“Jam 35 vjeçe dhe jetoj me prindërit. Prej dy muajsh jam fejuar dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Por ajo që më shqetëson është gjendja ime e humorit, e cila ka filluar të ndryshojë shpesh dhe në mënyrë të pajustifikueshme. Pa arsye, kaloj nga euforia në momente trishtimi e deri në nervozizëm, çka më bën të ndihem e turpëruar përballë njerëzve që më rrethojnë. Kur arrij të qetësohem, është gjithmonë tepër vonë. Ndihem e pafuqishme para një situate që në fakt e kam krijuar vetë pak minuta më parë.”

Përgjigjja e psikologes

“E dashur lexuese, Gjendja jonë e humorit pëson ndryshime, zakonisht sipas kontekstit në të cilin ndodhemi, pasi ndodhitë e ditës janë të larmishme, disa na japin gëzim dhe disa mërzi e nervozizëm. Ndryshimet e humorit kërkojnë më shumë energji psikologjike kur bëhet fjalë për ndryshime të mëdha në jetën e njeriut, si: martesa, ndryshimi i banesës, shtetit, pastaj për të vijuar me humbjen e një të afërmi, aksidente traumatike, të cilat shoqërohen me dëshpërim të madh.

Individë të ndryshëm i përjetojnë këto ndodhi sipas shkallës së tyre të ndjeshmërisë dhe përvojave që kanë. Shtimi emocional i këtyre ndryshimeve përkthehet në mendjet tona herë me racionalitet dhe herë në forma joracionale. Krahas kësaj ngarkese me dinamikë psikike, analitike, ndaj ndodhive të larmishme të jetës, individi kërkon natyrshëm “sistemim”, zgjidhje dhe si përfundim marrje përgjegjësish mbi veten.

Të gjitha këto krijojnë marrëdhënie frustuese me veten, të cilat mund të përkthehen në ankth ose luhatje të humorit e këto të dyja shpesh i mbivendosen njëra–tjetrës. Ky përjetim është i natyrshëm deri në momentin që nuk prek funksionimin e zakonshëm të jetës suaj të përditshme, kur nuk prek dimensionin tuaj në operacionet e jetës, rutinën e së cilës deri në ato momente e keni kryer pa kurrfarë, sikurse do të thoshte Prof. Dr. Adem Tamo, “lëndimi psikologjik”.

Nëse kjo situatë merr përmasa lënduese për individin, atëherë si çdo lëndim, meriton kujdesje specifike, dhe në këtë rast është e udhës që ju të mund të këshilloheni pranë një profesionisti, për të kaluar drejt një procesi më intensiv sesa një orientim si kjo përgjigje referuar letrës suaj. Pra, për të qenë më praktike në orientim tim, luhatjet tuaja të humorit mund të jenë të lidhura me ndryshimet më të fundit në jetën tuaj, ose mund të jenë pjesë e një dinamike më të gjerë e të hershme.

Në rast se kjo situatë, humori juaj, e prek të përditshmen deri në pikën kur e bën të përditshmen të vështirë dhe nuk arrini të funksiononi si zakonisht ndodh për ju në të përditshmen tuaj, atëherë referoj të shkoni dhe të ndiqeni pranë një profesionisti, ku mund t’i jepni përgjigje vetes suaj në sistematizimin e dinamikave lënduese për ju”.