subscribe
Republika ka rënë, shoqëria vrapon nën flamurin e frikës

Opinione

Republika ka rënë, shoqëria vrapon nën flamurin e frikës

Më: 21 mars 2018 Në ora: 15:40
Grida Duma

Aristoteli njihet si i pari mendimtar që iu referua qeverisjes “për interes publik” si diçka specifike.

“Kur qytetarët, jo mbretërit, jo tiranët, jo oligarkët, jo despotët, qytetarët në tërësinë e tyre qeverisin për interes publik.”

Cfarë do të thotë “interés publik” kufiri ndarës me interesin privat, ku diferencon tiranía përkundrejt forcës së ligjit. Vetëm qartësia e plotë këtyre fjalëve dhe vetëm brendësimi i tyre bën të mundur të ndërtojmë qeverisjen që na duhet.

Në këtë vorbull kohësh të vështira për shoqërinë shqiptare, veç inflacionit të monedhës dhe të ekonomisë, inflacioni i vlerës së fjalës dhe si pasojë inflacioni i besimit ësthtë më i larti. Ky inflación është ndoshta edhe më i dëmshmi.

Ardhur nga një sistem diktatorial, ku fjala asnjëherë nuk komunikonte drejtëpërdrejtë, nënkuptohej jo kuptohej, ku dhe në art e kinematografi dialogu apo monologu përfundonte në absurd aq sa hipokrizia u kthye në shije, vlera e fjalës së vërtetë u shkatërrua ngadalë.

Sot kakofonia e fjalëve të mëdha që nga verbi politik tek ai i opinioneve të lira rrjedh me një inerci të rrezikshme.

Shqiptarët dëgjojnë çdo ditë fjalë, si Demokraci, Europë, Integrim, Drejtësi për të gjithë, bërje shtet, mundësi të barabarta, qeverisje e mirë, transparencë, e tj; nuk thonë asgjë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Këto fjalë më shumë kuptohen që janë përsëritje sipërfaqësore e një zhargoni të detyruar që pas tyre nuk ka asnjë kontratë sociale me qytetarët.

Mundet madje që për brezat më të rinj mes fjalëve dhe realitetit konkret të ketë një lidhje, ato lidhen nëpërmjet të kundërtës. Ky nuk është fenomen thelbësisht dhe vetëm shqiptar, është më së shumti fenomen post diktatorial. Shumë vende autokratike e theksojnë në emërtim pikërisht demokracinë. Republika Demokratike e Kongos, Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut. Tendenca për të kamufluar të vërtetën reale me një fjalë që shpreh aspirata të të vërtetës së madhe është strategji e psikozave autokratike

Nën efektin e ekos së një regjimi diktatorial, shqiptarët pranojnë në nëndërgjegje që fjala mund edhe mos të ketë lidhje me të vërtetën dhe shpesh shërben veçse si një vitrinë mbuluese. Madje më tej akoma, kjo vitrinë mbuluese është thuajse e mirëkuptuar për të mosçjerrë realitetin, “në fund të fundit ky i fundit po u shpalos nuk do gjejë më shumë shërim”!

Humbja e vlerës së fjalës, do të thotë humbje e kontratës mes dy njerëzve që komunikojnë. Humbje e kuptimit mes tyre dhe hapje e një sipari nënkuptimesh pas nënkuptimesh që prodhon keqkuptime dhe në fund bashkëpunime të dobëta. Pikërisht këto bashkëpunime të dobëta janë dhe bazamenti i ekonomisë sonë në përfundim. Një ekonomi që vepron si në gjendje të pabesë; e rrethuar nga njëra anë besimi i vagët tek tjetri, tek partnerët tek bashkëpunëtorët, dhe nga ana tjetër nga një sistem pa rregulla loje që vetëm meritën dhe të aftin nuk kanë lidhje.

Rikuperimi i kësaj gjendjeje do ndodhë ngadalë dhe vetëm më një mënyrë, me modele konkrete që nisin me qeverisjen e mirë në majë të shoqërisë deri tek modelet e përditshme të suksesit në jetën e përditshme që duhen nxjerrë më shumë në pah për tu ndjekur.

Por gjithçka nis nga një “qeverisje e mirë”. Qeverisje e mirë; ky është termi kyç, që ka vetëm një kuptim dhe duhet që ky kuptim të jetë i qartë.

Që ta kuptojmë këtë do duhej të kishim qartësisht modelin se si është një qeverisje e mirë.

Ka popuj si yni që shumë rrallë dhe shumë shkurt e kanë prekur këtë dimension. Kuptimin e kësaj fjalë shpesh ose e ndërtojnë me imagjinatë ose e lënë në koshin e fjalëve inflative që mbulojnë të kundërtën e vetë fjalës.

Duhet thënë që idetë se si mund të jetë një qeverisje e mirë kanë qënë konkrete që në antikitet. Por po ashtu që nga antikiteti e deri sot është ngulmuar që në të gjitha mënyrat dhe format popujt e qytetarët të ndërgjegjësohen thellë për këto ide. Kujtesa dhe qartësimi i herëpasherëshëm ishte domosdoshmëri sidomos pas luftrash, krizash varfërie masive, sëmundjesh shfarosëse që trondisnin mendjet dhe shpirtrat e popujve dhe mjegullonin shikimin dhe kuptimin e tyre. Mpirja e shqisave të popujve ishte qëllim parësor për qeverisjet tiranike. Për të mos humbur kujtesa e qeverisjes së mirë ato u përcollën shumë më tepër nëpërmjet artit dhe letërsisë për të ndihmuar popujt të kuptonin dhe kujtonin se cila ishte forca ndërtuese në këto koncepte dhe sa e ndryshme ishte ajo nga koncepti i të fortit.

Kohë më parë qeveritarët republikanë të Sienës i kërkuan piktorit më të famshëm të qytetit të krijonte një afresk për selinë e pushtetit.

Kërkesa ishte e thjeshtë aq sa sublime: na tregoç’pamje ka qeverisja e mirë, na tregoç’fytyrë ka qeverisja e keqe. Përgjigja e piktorit ishte njëra nga kryeveprat e artit botëror.

Koha kur u pikturua afresku nuk ishte idilike. Siena ishte një Republikë e trazuar, si pjesa më e madhe e qyteteve të kohës. Res publica – është gjithnjë e tillë; ajo kurrë s’mund të jetë një idil. Republika ndodhet kurdoherë nën shënjestrën e keqqeverisjes.çdo keq-qeverisje është shumë më tepër sesa shuma matematikore e pjesëve të saj. Ajo nuk është thjesht një listë të këqiash.

Keqqeverisja është një e keqe e madhe sepse të tillë e bën kombinimi i të këqiave të saj së bashku më shumë se sasia e tyre.

Për Lorenzett-in në alegorinë e qeverisjes së keqe, tirani qëndron në fron i vendosur në mes të tablosë, ai ka pamjen e një demoni. Demoni shfaqet në trup më i madh se gjithë të tjerët, sepse është versioni negativ i komanduesit. Nën këmbët e tij dergjet e shtrirë Drejtësia, madje e ulur shtrembër në një shkallë të thyer. Rreth tiranit qëndrojnë Mizoria, Tradhtia, Përçarja, Dhuna, Mashtrimi, Zemërimi dhe Lufta.

Çfarë është edhe më domethënëse mbi Tiraninë qëndrojnë si aurë tre personifikime: Mendjemadhësia, Kërnacëria dhe Mburrja.

Në qytetin e keq të Lorencett-it njerëzia lufton, vjedh, dhe i vetmi që po punon është duke farkëtuar një armë. Në muret lindore të këtij qyteti qëndron Frika, e pikturuar si një grua e vjetër e dobët me një kosë të ngirtur.

Të gjitha të këqiat marshojnë nën flamurin e Frikës.

Kjo kryevepër artistike qëndron aty në shekuj për ti treguar njerëzimit që qeverisja e keqe është kështu. Kjo pikturë jep kuptimin e qartë të kuptimit të fjalës dhe asaj që ajo sjell në realitet.

“Alegoria e Qeverisjes së Mirë” e Lorenzetti-t vendos në fron Drejtësinë, e cila ka zëvendësuar aty shën Mërinë, shenjtoren mbrojtëse të qytetit.

Qeverisja e mirë, thelbi, jo idili i saj, mesazhi lidhur me përgjegjësinë për ta bërë atë realitet, është synimi i Ambrogio Lorenzetti-t. Qeverisja e keqe shihet si pasojë të mungesës së të mirës, e interesit publik, në qeverisje. Piktura e shekullit të 14 e tregon qartë – ne mund të fshehim pafundësisht shkaktarët dhe fajtorët, por pasojat e qeverisjes së keqe nuk mund të fshihen.

A është republikë për interes publik kjo që kemi sot? Nëse është republikë, atëherë për kë? Republika e Aristotelit e konsideron vendin jo si një copë tokë që mund të tjetërsohet, jo si një truall ndërtimi që mund ti “konçensionohet” dikujt. Ai e shikon si vendin ku qeverisja është “çështje publike”, joçështje e ndarjes së konçensioneve dhe pasurive publike mes një grushti oligarkësh.

Nëse e shohim kështu, në Shqipëri republika prej kohësh ka rënë. Rënia ka qenë e ngadaltë, ashtu siçdo rrëshqitje në krahët e oligarkisë. Republikës tonë i ka mbetur vetëm emri. Thelbi i ka humbur. Kuptimi dalëngadalë po i tjetërsohet. Arsyet se përse gjithesecili i gjen tek afresku dhe i përthyen në reralitetin e përditshëm shqiptar.

Është plotësisht e qartë që Shqipërisë i duhet një qeverisje e mirë e frymës së ResPublika.

Vetëm një ndryshim rrënjësor i modelit qeverisës mund të ndalte ikjen e qindra mijra shqiptarëve vetëm në 4 vitet e fundit; që do të ndalte edhe shuarjen e shtresës së mesme si pasojë e politikave anti-meritë, të ndalte kanabizimin dhe krimin në pushtet dhe pushetin e të fortit primitiv; të rikthente besimin tek investitorët e huaj të cilët për shkak të treguesve të keqqeverisjes nuk kanë hedhur asnjë cent në Shqipëri këto vite.

Investimet publike janë kolorite propaganda, e famshmja rilindje urbane e qyteteve është makiazhi që demoni bën para se të ulet në fron. Qendrat lyhen me bojë, sheshet betonizohen dhe godina që mbijnë e prodhojnë kulla me dyqane pa dyqanxhinj. Shkelqimi zvetënues i kullave ecën paralelisht me degradimin e madh të periferisë, ndërsa pakicat e oligarkëve i qëndrojnë si në pikturën e Lorenzett-t me mendjemadhësinë, kërnacërinë dhe mburrjen e plotë.

Investimet e rilindjes urbane përveçse jetësuan gëzimet kolektive të meseve të qyteteve ku për disa orë shqiptarët hallexhinj i përvidheshin vorbullës së shtëpive të sherrosura nga varfëria dhe pamundësia, rikthejnë iluzionet tek hallexhinjtë se dhe ata janë pjesë e qendrës meqënëse po ngrohen në diell në sheshe.

E gjithë rilindja dhe ajo urbane është e veçse e kundërta absolute e qeverisjes së mirë. Njësoj si qeverisja e keqe ndaj qeverisjes së mirë të Lorenzett-t, ndaj Res Publika-s, rilindja është demoni që nuk kursen as kujtesën historike të qyteteve dhe as lidhjen shpirtërore të qytetarëve vetëm për të fituar kulla ndërtimi në kurriz të teatrit, aktorëve dhe qytetit.

Gjithë shërbimet nga shendetësia tek arsimi, nga rrugët tek urat, nga promovimi në administratë publike tek pronësitë dhe favorizimet, e gjithë republika ka marrë fytyrën e së keqes për shumicën dërrmuese të qytetarëve në kurriz të të cilëve një pakicë që ushtron frikë dhe presión zhvat dhe plaçkit gjithshka.

Sot shoqëria shqiptare marshon nën flamurin e frikës. Demoni ka shpërndarë kudo emisarët, dhunën, tradhëtinë, mashtrimin. Kodet e fjalës shpalosin emisarët; tradhëtia thotë: “s’keni parë gjë akoma”, dhuna buçet: “me gjobat tuaja do të bëjmë shkolla e spitalet” mështrimi nënqesh e thotë” “i hapëm 300 mijë vende pune, ja i keni në Gjermani”, arkitektë dështakë prezantojnë projekte të skualifikuara dhe me mburrje përqeshin Ndrenikën. Ekzakt si në qytetin e keq, dyqanxhiu i celularëve po farkëton një minë dhe vetëplagoset. Fjala thotë të kundërtën e kuptimit dhe korrupsioni zgjidh punë.

Res Publika duhet të nisë nga ndërtimi i besimit tek e vërteta e fjalës së thënë. Kjo ndodh vetëm kur fjala e thënë konkretizohet me veprimin e kryer. Res Publika, apo një republikë e frymës tjetër duhet të japë shembullin se mbështet modelet e fituesve. Individualitetet fituese duhen mbështetur jo të zakonshmëve servilë përfitues, që në emër të pasurimit shiten lehtësisht se skanë asgjë për të humbur.

Mbështetja e modeleve të suksesit është parakusht për të ndërtuar qeverisjen e mirë. Në qeverisjen e mirë fryma është motivimi i çdo të afti, i cili do të mbështesë të tjerë të ngjashëm sepse marshojnë drejt suksesit. Aftësia është lindur të kërkojë suksesin dhe udhëhiqet veçse nga kjo. Një marshim nën flamurin e Arritjes./Panorama

Komentet
comments powered by Disqus