subscribe
Papjekuria e injoranca politike, ankthi i popullit

Opinione

Papjekuria e injoranca politike, ankthi i popullit

Nga: Adea Hasi Më: 11 gusht 2017 Në ora: 09:04
Adea Hasi

Eshtë e pamundur që të mos ndikohesh dhe të mos prekesh nga ngjarjet e fundit politike dhe nga mosmarrëveshjet e panumërta në lidhje me krijimin e qeverisë.

Faktikisht, po bëhet vërtetë kohë e gjatë që ne si popull nuk gjejmë qetësi, nuk mund ta pushojmë kokën nga pakënaqësitë politike që po ndodhin vazhdimisht. Mënyra si po zhvillohet politika dhe nga gjithë ato figura që ia mbajnë vetes si politikanë, ne thjesht nuk po mundemi ta gjejmë të bardhën në të zezë dhe spo kemi as përfitimin më të vogël si popull.

Ngjarjet e fundit që po ndodhin, për mendimin tim, janë vërtetim i plotë se politika po përdoret vetëm për përfitime të subjekteve, pushteti tashmë konsiderohet si fron që nuk lëshohet dhe altruizmi për të mirën e popullit as nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar kurrë.

Pastaj, shpesh dëgjonim prononcimet që figurat politike bënin vazhdimisht lidhur me Bashkimin Evropian, reformat (kinse reformat), ose negociatat e vazhdueshme në mënyrë që të arrihet sa më shpejtë statusi i kandidatit që mendonin se në syrin e popullit krijohej përshtypja se po punojnë për të vendosur dicka në dritë. Kurse këto ditë, neglizhohet cdo thirrje që vjen nga Brukseli për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës. Një shtet kryefortë, jo stabil, me probleme e plus i dobët as nuk paramendohet në tërësinë e BE-së e lëre më të anëtarësohet në realitet.  Bashkimi Evropian ka mësuar nga gabimet e së kaluarës.

Gjithcka plotësisht ka marrë pamjen e një teatri, ku ne si popull jemi lodhur duke parë dramat e njejta që vazhdojnë neveritshëm të përsëriten, aktorët që nuk dalin aty për neve por për përfitimet e tyre dhe fare nuk lodhen e as nuk brengosen se ne jemi duke vdekur nga mërzia dhe nga déjà vu-të e vazhdueshme që nuk dihet ku e kanë fundin.

Përfundimisht, mendoj se deri sa të largohen personat egoistë, të korruptuar, injorantë, jo të kualifikuar, pa edukatë dhe pa vizion për këtë shtet, kurrë nuk kemi me qenë më mirë. Derisa të mbarojë nepotizmi dhe korrupsioni dhe të vendoset meritokracia, nuk do të ketë përparim dhe zhvillim. Fatmirësisht, kemi kuadro të forta dhe të shkolluara të të rinjve që kanë vizion për këtë shtet, kanë plane për të ardhmën dhe e dinë cfarë rruge të ndjekim për të mirën e këtij populli, por fatkeqësia është se nuk na jepet mundësia sepse postet e pozitat janë plot njerëz që nuk e kanë vendin aty. Eshtë gabim që njerëzit adekuatë qëndrojë në shtëpi, bashkë me idetë e ndritura e me zgjidhjet e duhura, kurse njerëzit e pakualifikuar pa pikë përgjegjësie dhe turpi ulen cdo ditë në karrigën që meriton dikush tjetër.

Për faj të tekave, inateve, lojërave dhe egoizimit të këtyre personave të dështuar, ne jemi shëndruar në persona pesimistë dhe nuk po shohim kurrfarë përspektive derisa t’i dëgjojmë emrat e tyre të përmenden nëpër pozitat shtetërore.

Pastaj, nuk e di se ne populli cfarë jemi në këndveshtrimin e tyre, a ndjejnë përgjegjësi ndaj nesh, a ju vjen fare keq se cfarë skenash të neveritshme duhet të shohim vazhdimisht me skenar të ndyrë politik, apo jemi vetëm burim votash me të cilët manipulojnë kur ata kanë nevojë?!

Po shpresoj vërtetë të mbarojë ky ankth që po përjetojmë, e pastaj të hapim mirë sytë e të mos vazhdojmë edhe në të bëjmë disa gabime të pafalshme. Duhet kuptuar që disa gjërave edhe u ka ardhur fundi e të mos mundohemi të zgjasim atë që tashmë ka përfunduar. Ka ardhur kohë tjetër, tjetër mënyrë e të bërit politikë, kemi nevojë për njerëz të shkolluar e të edukuar prandaj të fillohet plotësimi i kritereve.