subscribe
SHIK-u, pushteti dhe partitë politike

Opinione

SHIK-u, pushteti dhe partitë politike

Nga: Mimozë Lakna Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 14:12
Mimozë Lakna

Nuk ka ditë që nuk përmendet ish Shërbimi Informativ i Kosovës. E shuar zyrtarisht, kjo organizatë, ka vite që është bërë kryefjalë e thuajse çdo politikani që kundërshton rivalët e tij. Së fundi, SHIK-u është “përfshirë” edhe në zhvillimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu të paktën ka lënë të kuptohet zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti, e cila ka përdorur termin “media të SHIK-ut”, për disa media dhe pronarët e tyre, që sipas saj janë shokë të Dardan Molliqajt.

Ka mjaftuar kjo deklaratë, që të kuptohet se sa keq janë punët brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Tani, gjithnjë sipas asaj që ka thënë Tinka Kurti, Vetëvendosja e cila ka kërkuar hetim parlamentar për SHIK-un, ka brenda vetes njerëz të afërt me SHIK-un. Si rrjedhojë e kësaj, në të ardhmen qytetarët e Kosovës, mund të mos i besojnë një hetimi parlamentarë të SHIK-ut të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, për LDK-në mund të ketë një arsye shtesë që të mos i besojë nismës së Vetëvendosjes për hetimin e veprimtarisë së  SHIK-ut.

LDK, e cila është e goditur më së shumti nga vrasjet politike, e që vazhdon “ti qajë zemra”, se SHIK-u ka gisht në këto vrasje, do ti përforcojë bindjet e saj se vetëm institucionet e drejtësisë duhet ta hetojnë veprimtarinë e kësaj organizate.

Në anën tjetër, që në fillim të kësaj legjislature, ish Drejtori i SHIK-ut, tani Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri një deklaratë interesante e cila po zhvillohet hovshëm në praktikë.

“Ko me ju ngi me SHIK në këtë mandat. Mos bo pastaj ciu ciu me u tërhjek. Mos manipulo me plagët e njerëzve. Je i shpifës dhe i padinjitet”, kishte deklaruar Veseli në një nga seancat parlamentare, ku deputetë të LDK-së e quanin SHIK-un organizatë kriminale.

Se Kadri Veseli do të na “ngijë” SHIK askush nuk ka dyshuar, por se emri i Vetëvendosjes do të ndërlidhet me SHIK, këtë nuk e kishte menduar askush. Këtë nuk e kanë menduar qytetarët që e bënë Vetëvendosjen partinë e parë në vend, duke lënë shumë prapa madje edhe PDK-në, partinë që përbëhet nga ish pjesëtarë të SHIK-ut.

Për këtë arsye, Vetëvendosje, ua ka borxh votuesve të saj, që të deklarohet se nuk do të lejojë njerëz të SHIK-ut brenda. Këtë mund ta vërtetojë duke i qëndruar prapa premtimeve të dhëna në fushatën e zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti.

Situatë të ngjashme sikur në Lëvizjen Vetëvendosje, kishte në LDK pas vdekjes së Presidentit Rugova. “Kuvendi i karrigeve” i ka kushtuar shumë LDK-së në zgjedhjet që pasuan. LDK nuk arriti të kthjellet deri në zgjedhjet e këtij viti. Për të mos i ndodhur një gjë e tillë, Vetëvendosje duhet të demokratizohet dhe të mos lejojë persona apo grupe të caktuara që të prishin unitetin e saj.