subscribe
Reforma që nuk u bë asnjëherë

Opinione

Reforma që nuk u bë asnjëherë

Nga: Mimozë Lakna Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 12:41
Mimozë Lakna

Saga e zgjedhjeve lokale nuk ka përfunduar ende. Istogu do t`i nënshtrohet sërish procesit zgjedhorë për shkak të manipulimeve me vota të konstatuara edhe nga Paneli Zgjedhorë për Ankesa dhe Parashtesa.

Ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u vlerësuan si të arsyeshme për ta rikthyer në rivotim komunën që drejtohej nga kjo parti deri tash. Ndërkohë që LDK nuk po qëndron duarkryq as sa i përket procesit zgjedhorë në Komunën e Prishtinës.

Kjo parti, po synon që vendimin e Gjykatës Supreme, sa i përket rinumërimit të votave në Prishtinë, ta dërgojë për interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithë kjo situatë, na mëson se Kosova ende nuk e ka kaluar tërësisht testin e demokracisë.

Politikanë e përfaqësues të institucioneve në Kosovë, kanë bërë thirrje vazhdimisht për miratimin e reformës zgjedhore. Natyrisht, këto thirrje kanë mbetur vetëm si të tilla, pasi të njëjtit politikanë kanë qenë të interesuar që zgjedhjet në Kosovë të vazhdojnë nën të njëjtin avaz.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë kishte iniciuar Reformën zgjedhore, madje e njëjta ishte paraparë që të përfundonte në pranverë  të këtij viti.

Kjo nismë rezultoi të jetë e dështuar, për shkak të refuzimit të disa partive politike të marrin pjesë në takimet që ftonte Thaçi.

Si rrjedhojë, vjeshta e zgjedhjeve lokale e zuri Kosovën pa reformë zgjedhore të miratuar.

Njohësit e çështjeve juridike, kanë vlerësuar se  ligji aktual zgjedhor asnjëherë e nuk ka garantuar cilësinë por vetëm organizmin e zgjedhjeve.

Sipas tyre, mungesa e reformës zgjedhore, i ka shkuar përshtati subjekteve që në zona të ndryshme të Kosovës, kanë bastione.  U ka konvenuar kjo situatë atyre subjekteve që kanë bërë aleanca ndemjet vete për t`i mposhtur kundërshtarët.

Derisa të mos kemi reformë të mirëfilltë zgjedhore, do të vazhdojmë të përballemi me manipulime të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre, siç ishte rasti me Komunën e Istogut.

Kjo situatë, na kthen në vitin 2011 kur,  ishte arritur një marrëveshje, ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi.  Marrëveshja parashihte përveç tjerash reformave kushtetuese e zgjedhore. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë rezultat konkret sa i përket reformës zgjedhore.