subscribe
Për zarfin dhe njerëzit që mund t`i ndëshkojë historia

Opinione

Për zarfin dhe njerëzit që mund t`i ndëshkojë historia

Nga: Mimozë Lakna Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 09:59
Mimozë Lakna

Ishin ditët më të vështira për shqiptarët në Kosovë. Kohë lufte! Persekutimi e shkatërrimi nga regjimi famëkeq i kriminelit Sllobodan Millosheviç kishin nisur. Në zemër të Prishtinës nën direktivat e kriminelit nisi të ndërtohej një Kishë ortodokse.

Kjo kishë,  ndonëse e pa ndërtuar tërësisht, sot e kësaj dite po vazhdon t`i zë frymën Prishtinës.

Brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, vazhdon të qëndroj objekti kishtar i ndërtuar në kohën e fillimit të gjenocidit serb në Kosovë. E sikur të mos mjaftonte qëndrimi në këmbë i saj, (ndonëse nuk ka leje), një vendim i Gjykatës ia njeh edhe pronësinë mbi katër hektarë tokë përreth kampusit Universitar.

Si objekt i ndërtuar nën masat e dhunshme, kisha ortodokse serbe, kishte hyrë në listën e objekteve pa leje nga Komuna e Prishtinës, e cila zyrtarisht kishte kërkuar rrënimin e saj.

Kundër kërkesës së Komunës që ishte bërë në vitin 2016, kishin dalë edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe disa bashkëpunëtor të tij të ngushtë.

Mos reagimi i deritashëm i Presidentit, ngjallë dyshime se i njëjti, sikurse që ka qenë kundër rrënimit të këtij objekti, tani mund të jetë edhe pro faljes së tokës.

Në fakt, provokimi i radhës lidhur me këtë objekt famëkeq, na erdhi nga një Gjykatë vendore e cila i dha të drejtë serbëve për pronësinë në oborrin e Universitetit.

Një gabim fatal i përfaqësuesve të rektoratit të Universitetit Hasan Prishtina, mund t`i kushtojë Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Zarfi i ftesës nga Gjykata ishte “humbur” diku në zyrat e rektoratit të Universitetit. Të paktën ky është arsyetimi i zyrtarëve. Por, ky nuk mund të quhet arsyetim para studentëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për këtë veprim zyrtarët e UP-së duhet të bartin përgjegjësi dhe po ashtu të japin përgjegjësi.

Vendimi i Gjykatës po konsiderohet i përmirësueshëm nga juristët. Megjithatë, nuk ka siguri nëse për herë të dytë do të vendoset në favor të palës së Universitetit Hasan Prishtina.

Çfarë do të thonë këta zyrtarë të rektoratit, nëse nesër kisha ortodokse serbe dhe përfaqësuesit e saj, ndërtojnë ndonjë muri përreth kësaj toke. Si do të ndihen për shëmtinë që ia shtuan kryeqytetit.

E udhës do të ishte që as objekti të mos ndodhej aty, pasi kujton vitet më të tmerrshme që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës. Rrethanat janë ashtu si janë. Megjithatë, qytetarët nuk ia kanë borxh tokën e tyre askujt, e aq më pak atyre që përfaqësojnë të keqën ndaj popullit, që ka ndodhur me vite të tëra.