subscribe
Shtet e pushtet që inspiron dhunë...!

Opinione

Shtet e pushtet që inspiron dhunë...!

Nga: Albina Deda Më: 31 gusht 2017 Në ora: 23:57
Albina Deda

E përjetova me dhimbje dhe lotë tragjedinë e pak orëve më parë në zemër të kryeqytetit të vendit tim. Të vendit që trumbeton demokracinë dhe po i jep "mend" Europës plakë! Të vendit që ndër shekuj është dominuar nga një kod zakonor fisnik e fantastik që femrën e mbron e shenjtëron…!

Si nënë e mjeke, si shqiptare e ligjvënëse e këtij vendi, përveç sensibilitetit njerëzorë, përcjell sot dhe alarmin deri në "SOS". Në këmbë si shoqëri të ndalojmë makabritetin dhe degradimin që po përjetojmë. Them si shoqëri se pushteti i këtij vendi ka marrë fund që kur në krye të tij është kryepreversi psikopat Edi Rama, i cili në jetën e tij është i shenjuar botërisht si dhunues i grave dhe familjes. Nuk jam aq infantine sa ta akuzoj monstren-Kryeministër direkt për rastin, por kam argumentin dhe faktin se kur një dhunues bëhet kryeministër i vendit ai nxit subkoshiencën e sëmurë të dhunuesve të tjerë si rasti i sotëm. Sot Shqipëria tregoi se nuk ka shtet! Kur vritet një Gjyqtare e Republikës e mbrojtur me urdhër e imunitet, atëhere cili do jetë fati i një zonje në Orosh apo Vermosh?!

Ftoj kolegët e mija, shoqërinë civile, zonjat e lira të këtij vendi të protestojmë ndaj policisë së hashashit e kokainës, e cila nuk arriti të mbrojë jetën e deklaruar të kërcënuar të Gjykatëses.

Ajo u flijua për t’u zgjuar ne nga letargjia.

Sot ishte natë feste religjioze e tolerancës dhe solidaritetit që u shënua me dhunë e paburrni.

Nuk e meritonte kjo zonjë fisnike këtë ndëshkim. Nuk e meriton vendi ynë me principe të lindur këtë dhunim.

Ndaj unë protestoj!

Protesto dhe Ti që të mos pranojmë gjërat që nuk i meritojmë!