subscribe
Roli i grave në pozita vendimarrëse

Opinione

Roli i grave në pozita vendimarrëse

Nga: Aulonë Mehmeti Më: 31 gusht 2017 Në ora: 12:10
Aulonë Mehmeti

“Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin 
E fjalë këmbeva në malet me fletë, 
Po Lekë Dukagjini ishte trim e bir trimi 
Dhe s’mundej dot lehtë... 
Po Lekë Dukagjini nuk ishte Leka i Lecit, 
Që bën njëqindmijë lëshime në punë; 
Lekë Dukagjini i rrepti i të rreptëve 
Ma tundte para syve kanunë 
Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua: 
“O mbaje gruan kështë si them unë, 
O lëre gruan, se s’je për grua!” 

- Dritëro Agolli

Eh more Lekë, iku koha jote, po ç’mbeti nga Kanuni se? Sigurisht që kjo nuk është ndonjë nostalgji që po shkruaj për ty e Kanun sot, por për metamorfozën që kushtetuta e kohës tënde pësoi dhe si normat e tij ende vazhdojnë të kenë ndikim në shoqërinë tonë.

Duke filluar nga e drejta e pronësisë e deri tek roli i gruas në shoqëri dhe pozita vendimarrëse, shohim se ende edhe sot, me apo pa vetëdije, na përcjellë mendësia e para gjashtë qind viteve. Fatkeqësisht për ne si komb, kjo mendësi arkaike ka lënë gjurmë të thella.  

Ashtu siç thuhet në Kanun se, “[…]Kanuni e njeh për trashëgues djalin e jo vajzën. Baba edhe në mos paste djem, nuk mundet me u lane bijave as tokë, as plang, as shpi”, njejtë edhe sot, gjashtë shekuj më vonë, gratë në Kosovë nuk e gëzojnë të drejtë e trashëgimisë përshkak se ndarja e pasurisë familjare vendoset se si të ndahen nga mashkujt e familjes dhe shumicën e rasteve ajo ndahet mes tyre.

Sipas raportit “E drejta e Grave për Trashëgim në Pronë” të publikuar nga BIRN, shohim se në Kosovë, vetëm 16% e pronave janë të regjistruara në emër të grave.  Ndërsa 40.83% e grave të anketuara në raportin “E Drejta e Trashëgimisë Pronësore të Grave në Kosovë” nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, janë të mendimit se trashëgimia ndahet sipas normave zakonore dhe traditës. Këto shifra alarmante dhe ky perceptim nga vetë grate është tejet shqetësues.  

Ende më shqetësues është fakti se kjo mendësi shfaqet edhe në sferën politike. Në fakt, është vet politika që shpërfaq këtë anomali të shoqërive primitive sikur kjo e jona. Matësi më i mirë se çdo anketim tjetër rreth rolit të grave në shoqëri janë zgjedhjet. Pikërisht gjatë kohës së zgjedhjeve shohim se ndër sfidat kryesore të partive politike është plotësimi i kushtit të kuotës gjinore; se si t’i mbushin 30% të listave për asamble komunale me gra, e si t’i gjejnë edhe ca tjera që të kandidojnë për kryetare komunash.

Konkretisht, për zgjedhjet e 22 tetorit nga 91 parti politike të regjistruara për të konkuruar për kryetarë komunash vetëm 4 kandidate janë gra. A thua vallë gratë në shoqërinë tonë nuk kanë se çfarë të thonë? Se ato nuk kanë çfarë të ofrojnë?

Kuota e gjinore ose siç më pëlqen ta quaj “tridhjetë përqindëshi i mëshirës”, është mekanizëm që siguron një përfshirje minimale të grave në politikë (në këtë rast 30 për qind) meqenëse ato nuk janë ose nuk konsiderohen të afta të garojnë të barabarta me gjininë e kundërt. Kuptohet, ky diskriminim pozitiv mbi idenë e barazisë shihet si pikënisje për të krijuar rrethana të përfaqësimit të natyrshëm të grave në skenën politike, mirëpo një gjë e tillë ende nuk po ndodh.

Vet kuota gjinore është diskriminuese dhe gruaja në vend se të jetë një faktor i domosdoshëm është shndërruar në kuotë, në numër dhe asgjë më shumë. Por, meqë kuota mundëson një përfaqësim sado të paktë të grave në politikë, për ne si vend në zhvillim, është e domosdoshme.  Mirëpo lind pyetja, meqë duhet të kemi kuotë atëherë pse ajo të mos jetë pesëdhjetë përqind?  

Mburremi vazhdimisht me të arriturat e vajzave dhe grave tona nëpër botë, por çfarë bëjmë për të avansuar pozitat e tyre konkretisht? Kemi Rita Orën e Dua Lipën që janë shembulli më i mirë i diplomacisë kulturore, kemi Majlindën e artë, Laura Mersinin, Elvira Donesin, bjeshkataret si Arinetën dhe Utën, e shumë e shumë të tjera.

Fatkeqësisht,  këta emra i degjojmë tek lakohen nga politikanët tanë kryesisht në kohë fushatash apo kur duan të tregohen të emanicipuar në rrjete sociale. Në anën tjetër ky është një tregues se në shoqërinë tonë gratë ende përceptohen si ornamente e zbukurime në rast nevoje dhe asgje më shumë.

E kështu, edhe pas gjashtë shekujsh vazhdojmë të degjojmë grahmat e herë pas hershme të Lekës tek kollitet e bën ligjin…