subscribe
Mesazh për Europën nga jetimët e saj!

Opinione

Mesazh për Europën nga jetimët e saj!

Nga: Leonora Laçi Më: 19 prill 2018 Në ora: 15:35
Leonora Laçi

Mesazhet e shqiptarëve drejtuar Europes janë si ato letrat  në shishe që hidhen në detin e pafund, ku shpesh nuk gjendet askush për ti lexuar, edhe nëse gjendet ndonjë udhëtar i rastësishëm prapë këto letra nuk mbërrijnë në duart e duhura. Si shumë të tjerë edhe ky mesazh do të ngec në tallazet e detit...

Për të na marrë në konsideratë Europa, e ka të vështirë por jo të pamundur. Europa aktualisht përballet me shumë probleme të mëdha që për shpatullat e saj janë sfilitëse, ndërsa ne jemi problem i vogël.

Ajo që duhet theksuar përpara Europes, është roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perendimor. 

Sa na ngrohë zemrat ky nocion “Ballkani Perëndimor” - është bashkohorë, i pranueshëm, i pëlqyeshëm, sinonim i afrimit me zhvillimin, emancipimin, ndryshimet afatgjatë e progresiste.

Pasi termi ekzistues” Ballkani” që ne njohim, ngjanë me një nocion shumë të largët sikur nuk flitet për ne, na kujton ngjarje të hidhura si luftërat ballkanike, problemet nacionale, komunizmin, është më afër lindjes sesa perendimit.

Kemi nevojë sa më shumë për perëndimin, jo perëndimin e diellit që i lë vend errësirës së thellë, por perëndimin si term që na sjellë ndërmend zhvillimin, frymën europiane, a nuk jemi ne vetë që shohim perëndimin si sinonim të asaj që mund të mire arsimohemi, emancipohemi !! 

Perëndimin ku zhvillimi dhe revolucionet kanë qenë frymëzuese dhe për qenësinë tonë, nga perëndimi kanë ardhur ndryshimet e mëdha, i është dhënë formë periodizimeve historike.

Shqiptarët duan të jenë perëndimor, s‘ka gjë edhe Ballkanas Perëndimor por europian përbrenda, e jo europian të perënduar.

Por s’duhet të harrojmë që e kaluara jonë historike na ka lënë shije të hidhur nga perëndimi, jemi ndarë si me thikë me të, edhe pse gjeografikisht jemi kaq afër, por e pamjaftueshme për të tërhequr vëmendje.

Për këtë kanë ndikuar dhe përqafimet e mendësive lindore në kohë të ndryshme. Por, ka shumë fajtor në këtë mes, përveç mendësive lindore është dhe Europa vetë, e kaluara jonë, ne etj.

Jo për tu viktimizuar por shpesh jemi konsideruar si si jetimët e Europës, e si jetim jemi braktisur, copëtuar, harruar, përqeshur, injoruar nga familja Europiane.

U braktisëm në kongrese, konferenca ambasadorësh, u lamë qëllimisht kështu me mendimin se do asimiloheshim vetvetiu e do mbetemi thjesht një nocion gjeografik.

 U harruam dhe në traktate ndërkombëtare, edhe aleancat e mëdha na dolën kundër.

Ne, plaçka e tregut e europianëve u degdisëm si të tillë në 4 shtete, e mjaftoi kjo që Ballkani të quhet “fuqi baruti”.

Ne nuk jemi jetim, dhe s’duhet të quhemi si të tillë. Ne i përkasim realitetit europian jemi pjesë e saj dhe aderimi në familjen Europiane është një detyrim si ndjesë nga Europa që të shlyejë padrejtësitë historike që na ka shkaktuar. 

Ekuilibri në Ballkan mund të vendoset duke afruar shqiptarët, sepse neve nuk na lidhë asgjë me lindjen europiane e perëndimin aziatik. 

Europës i duhen shqiptarët për të ndezur apo për të fikur vatrat e zjarrit nacionalist.

Ne nuk jemi më emigrantët tranzitor, por kemi diasporën e konsoliduar që ka nxjerrë përfaqësues të denjë. Europa e shek.XXI duhet ta shoh gotën gjysmë plotë për shqiptarët dhe të mësoi nga e kaluara e hidhur.

Ne jemi Europian sepse i kemi dhënë asaj perandor, strateg ushtarak, udhëheqës shpirtëror e humaniste mbarë botërore, e pa harruar njerëz të shkencës, artit e letërsisë. 

Jemi ndër popujt më të hershëm, me një gjuhë, identitet e racë unike.

Ne e mbrojtëm Europën nga pushtimi otoman, e ajo i shpëtoi islamizmit ndërsa ne jo. 

Ne u treguam human dhe i mbrojtëm hebrenjt si vëllezërit tanë, kur Europa po heshte për gjenocidin ndaj tyre, e heshtja  ishte miratim, por nuk shpëtuam dot veten nga gjenocidi komunist shqiptar e ne nuk kishte kush të na mbronte.

Ne nuk jemi njerëz të dorës së dytë, as jetimët e Europës por bijtë e saj legjitim dhe meritojmë vlerësim, madje dhe kërkim falje... dhe koha është  tani.

Europa nuk duhet të bëjë më shurdh-memecin me ne, le të riparoi gabimet e së shkuarës për të hapur një kapitull të ri.

Shqiptarët i kanë rezistuar dy luftërave botërore e një lufte të ftohtë por lufta e ftohtë me vetveten po i kalon parashikimet dhe ne nuk ia dalim dot pa JU, pa Europën, për të na kthyer besimin dhe shpresën.