subscribe
Merr fund lidhja 3 vjeçare e Ronela Hajatit dhe Zerkës, çfarë i çoi drejt ndarjes

Mediale Vip

Merr fund lidhja 3 vjeçare e Ronela Hajatit dhe Zerkës, çfarë i çoi drejt ndarjes

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 15:51
Ronela Hajati dhe Young Zerka

Më shumë se dy vite pasi këngëtarët Ronela Hajati dhe Young Zerka vendosën të dilnin hapur si çift, duke zyrtarizuar lidhjen mbi 3-vjeçare me një duet, tashmë historia e tyre ka marrë fund.

Kur vendosën të bashkëpunonin për projektin e tyre muzikor, ata kishin një vit që përfliteshin për lidhje dashurie, por që përpiqeshin ta mbanin të fshehtë. Dhe më këtë stil vazhduan për një periudhë të gjatë, edhe pse koncertet i planifikonin gjithmonë bashkë.

Këto kohë s’i kemi parë çift, por një përgjigje për ecurinë e lidhjes së tyre e ka bërë reperi Young Zerka gjatë një interviste për emisionin “Thumb”. Pyetjes, nëse është çift apo “single”, ai iu përgjigj: “Normal që single”, duke treguar edhe duart në të cilat nuk ka asnjë unazë.
“Po, a je në kërkim të dashurisë?” e pyeti gazetari. “Në kërkim të shpirtit të lirë,” tha Zerka dhe kaq u desh për të konfirmuar ndarjen nga Ronela Hajati. Nga ana tjetër, Ronela është rikthyer në festivalin “Kënga Magjike” me një këngë të Flori Mumajesit me titullin “Vuj”, dedikuar një dashurie të humbur, pasi ai e ka lënë për një tjetër.
Po flitet se kjo është kënga që i dedikohet vuajtjes pas ndarjes nga Zerka, ndërkohë që gjatë performancës, Ronela interpreton dhembjen e saj shpirtërore pas ndarjes nga Zerka, duke bërë edhe prekje intime në skenë, një guxim ky skenik që mund të themi se është kthyer në stil personal për Ronelën.

Ajo ende nuk ka folur për ndarjen nga reperi, por miq të tyre kanë treguar se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje që ka lindur për mënyrën ndryshe si e shihnin këtë marrëdhënie. Ronela, edhe pse është shprehur se nuk ishte gati për bashkëjetesë, kishte dëshirë që ta zyrtarizonte lidhjen, pikë në të cilën ka rënë ndesh me Zerkën, i cili nuk ka dashur të hedhë një hap të tillë, duke u mjaftuar me një lidhje pa preokupime.

Zerka ka qenë ai që asnjëherë nuk ka folur publikisht për Ronelën, përveç ditëlindjes së saj ku i bëri një dedikim në “Instagram”, që prapë linte vend për interpretim, nëse ishte urim për të dashurën e zemrës apo për kolegen dhe mikeshën. Zerka hyri në tregun e muzikës shqiptare pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me Ronelën u afruan me njëri-tjetrin pas prishjes së bashkëpunimit me “Max Production” dhe lidhjes së një kontrate të re me tjetër shtëpi diskografike. Duke u bërë bashkë dhe duke i dhënë koncertet gjithmonë çift, ata u komentuan si një tjetër çift i dashuruar në tregun e muzikës, mes shumë të tjerëve që janë krijuar këto vitet e fundit. Po siç e ka treguar historia, shumë pak prej tyre arrijnë të mbijetojnë, edhe pse kanë pasur sukses bashkë.

RONELA HAJATI, SI JETONTE ME FRIKËN E NDARJES NGA ZERKA

Edhe pse për lidhjen e tyre u fol që para 3 vitesh, dy këngëtarët Ronela Hajati dhe Young Zerka janë përpjekur ta mohojnë me çdo kusht që ata janë bashkë. Ndoshta, frika se marrëdhënia e tyre do u prishte punët në karrierë e bënte Ronelën të stepej dhe të mos e deklaronte hapur marrëdhënien për muaj të tërë.

Më vonë, lidhjen intime e kthyen në strategji biznesi për të fituar para, pasi jo vetëm ftesat i merrnin çift për koncerte, por nisën të bënin dhe klipe bashkë. Në të gjitha intervistat që jepnin, afrimitetin me njëri-tjetrin e kanë cilësuar thjesht si miqësi dhe bashkëpunim pasi Ronela bënte tekstet e këngëve të Zerkës.

Ata rrinin 24 orë në 24 bashkë, që do të thoshte se nuk ndaheshin jo vetëm në koncertet që i planifikonin çift, por edhe në festat ku ishin të ftuar. Por në një party në Tiranë, Ronela u fotografua shumë pranë Zerkës, në një moment kur ishte mbështetur në supin e tij, që tregonte dhe intimitetin e mohuar mes tyre.

Pas kësaj daljeje publike, Young Zerka publikoi klipin “Like Rihanna”, duke u shprehur se i pëlqenin vajzat e këqija, deklaratë që u perceptua si një dedikim për Ronelën. Ndërsa gjatë pjesëmarrjes së tij në “Dancing with the stars”, Ronela përveçse e shoqëronte në paskuinta gjatë provave, bëri dhe një performancë shumë seksi në spektakël me Zerkën, që dëshmonte se ata nuk mund ta fshehnin tërheqjen e fortë fizike që kishin me njëri-tjetrin.