subscribe
Pse mu prish fejesa, a kam magji apo fati nuk ishte me mua?

Magjistarja

Pse mu prish fejesa, a kam magji apo fati nuk ishte me mua?

Më: 1 gusht 2017 Në ora: 14:57
Ilustrim

Shifra: “Magji apo dëshirë”

Përshëndetje, po i bie pak si shkurt historisë sime, për të mos folur me ditë të tëra për ngjarjen time.

Jam një 20-vjeçare, në nëntor të vitit të kaluar u fejova, por kjo lidhje dështoi pas tri javësh. Ai kërkoi ndarjen.

Nuk ishte faji im, ishim fejuar përmes mesitnisë.

Më tha se je e vogël me trup dhe për këtë arsye s’mund të të dua më. Edhe ashtu s’më ke pëlqyer vetëm hatri i babait edhe i motrës të kam thënë po!

Thënë të drejtën, kjo më demoralizoi aq shumë sa që fillova ta urrej vetveten. Ndihesha fajtore se ku kisha gabuar. Qaja me ditë e net derisa arrita në një moment ku shkatërrova veten time.

Më quan të më shkrinin plumb te një plakë që ishte shumë larg nga ne. Në momentin kur hyra brenda filloi plaka të qajë. T’paska marrë qafe, bre çikë, e po më dhimbesh...  Ai hala të do... Ai qan për ty çdo natë.

Unë vetëm qaja, s’mund të flisja. Mami e pyeti kush i paska marrë në qafë?

Në momentin kur më ka pa kinse vjehrra na paska shikuar nëpër unazë të shkretë, për me na ftohë, sepse ai ishte dhënë shumë pas meje.

Kujt m’i besua? Fjalëve që m’i tha i fejuari që me detyrim u fejua me mua, apo fjalëve të plakës që  fejesën e kishte prishur nëna e të fejuarit përmes unazës?

Para një muaji jemi takuar rastësisht, sepse jetojmë në të njëjtin qytet. Kur më ka pa u shtang edhe e ka ulur kryet. Unë ia nisa me qarë.

Kërkoj ndihmë se shumë keq jam. A kam magji? Kujt m’i besua?

Përgjigje:

Populli e ka një fjalë të urtë dhe thotë: Kur prishet qerrja, rrugë gjen sa të duash!

Në fakt, te ju ka ndodhur diçka që është për shpjegim, por që nuk ka as shpjegim. Para së gjithash, nuk ka mundësi që ti që je fejuar me mesit, ta kesh dashur aq shumë atë person, meqë fejesa me mesit e përjashton lidhjen tuaj që quhet kalim paraprak. Ju nuk keni qenë bashkë, do të thotë, që ta keni skalitur dashurinë në flakë të artë. Prej nga e deshe ti aq shumë atë njeri për aq pak kohë?

Përjashtohet edhe arsyetimi i ish-të fejuarit tënd se ai  pranoi fejesë me ty për hatër të babait dhe motrës. Nëse është frikësuar nga babai, gjë që sot nuk ndodh, me siguri, nga motra nuk ka pasur frikë. Do të thotë, ju jeni fejuar me dëshirë. Gabimi juaj është se keni pranuar të fejoheni shpejt. Në vend se të kishit verifikuar paraprakisht personalitetet tuaja dhe që të dinit se kush je ti e kush është ai, ju keni pranuar fejesë në shikim të parë dhe tek pasi jeni fejuar ai ka hulumtuar të kaluarën tënde dhe aty ka diçka që nuk i ka pëlqyer. Kjo është arsyeja psikologjike nën të cilën ai ka marr vendim ta prish fejesën. As për faktin se ke qenë e vogël, as për faktin se të kanë shikuar mes unazës, por për faktin e të kaluarës. Por, ai nuk e ka përmendur të kaluarën dhe këtu ka treguar pjekuri: Sikur të kishte hyrë në të kaluarën, ish dashtë të aktivizohen mesitët dhe kjo punë të kalojë në gjykim të burrave, për çka ai do të kishte marrë dënimin, prandaj i ka rënë sa më shkurt dhe të vetmen arsye e ka gjetur te gjatësia jote.

Mbi të gjitha, ta kesh një gjë të qartë: Nuk ka qenë fati yt, ti duhet ta kthjellosh mendjen dhe fati tjetër është për ty. Ai do të vjen kah fundi i këtij viti dhe për të nuk do të jesh as e vogël as e madhe, por do të jesh tamam, sa i duhet jetës dhe fatit tuaj bashkëshortor. Do t’i keni dy fëmijë.