subscribe
Alesia Bami: Vajzat e ekranit s’mund të inspirojnë me veshje murgeshash, ata që paragjykojnë…

Intervista

Alesia Bami: Vajzat e ekranit s’mund të inspirojnë me veshje murgeshash, ata që paragjykojnë…

Më: 2 prill 2018 Në ora: 16:54
Alesia Bami

Pak muaj më parë festoi 18-vjetorin si vajzë e njohur me shumë të ftuar, pas eksperiencës si velina e Ardit Gjebreas i shtohet puna si velina e Saimir Kodrës e Gent Zenelajt çdo mbrëmje në ekran.

Modelja dhe kërcimtarja Alesia Bami ka realizuar një set të ri fotosh ku ekspozon dekoltenë dhe shfaqet në perfeksion.

Në lidhje me debatin e veshjes së duhur të vajzave në ekran, përfshirjen në historitë dhe ngjarjet që trajtohen në emisionin investigativ, karrierën që synon më tej dhe sa u reziston tundimeve tani si vajzë televizioni, Alesia i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Çdo natë të shohim në ekran si velinë e një programi investigativ ku dëgjoni lloj-lloj historish. Thua ndonjëherë me vete: ”Sa jashtë realiteti jam, ose sa botë e frikshme kjo ku jetoj?”

Nuk them sa jashtë realiteti jam dhe sa botë e frikshme, ndonjëherë emisioni të merr në rrjedhën e tij dhe sigurisht surprizohem çdo natë nga histori të ndryshme që u ndodhin qytetarëve. Por vetëm kaq!

Saimir Kodra dhe Gent Zenelaj janë gjithë kohës në interaktivitet me ju si velina. Ku ndryshon njëri nga tjetri për ty?

Ata janë një kombinim perfekt me njëri-tjetrin dhe kjo është një kimi artistike dhe skenike, pasi të dy janë profesioniste në atë që bëjnë, këtu shtoj edhe eksperiencën e gjatë që kanë secili në ekran. Të dy kanë veçoritë e tyre, e duhet thënë që janë shumë të zotë në punën që bëjnë.

Në festën e ditëlindjes që organizove pak muaj më parë, ata ishin të ftuarit që nuk munguan me dhurata. Si do e përkufizoje marrëdhënien me ta jashtë punës?

Një marrëdhënie shumë e mirë, një marrëdhënie mes kolegësh. Që shpresoj të vazhdojë kështu shumë gjatë.

Sa kohë u duhet për realizimin e numrave të baletit dhe ke ankthin e ndonjë incidenti veshjeje apo gjatë kërcimit?

Ne përgatitemi gjatë gjithë javës për numrat e rinj. Dhe ankthin e ndonjë incidenti për veshjet nuk e kam, pasi kam kërcyer që e vogël dhe balerinat nuk duhen paragjykuar për veshjen, pasi është pjesë e profesionit. Madje, jemi shumë të veshura, sepse po të shikoni balerinat nëpër botë janë të veshura vetëm me një trupore, “body”.

Në lidhje me debatin e hapur pro apo kundër veshjes së ekzagjeruar në ekran, në krah të kujt je?

Nuk mendoj se moderatoret e kanë tepruar sa për të shkaktuar debate të tilla. Unë si natyrë jam feministe dhe dua t’i mbroj vajzat që dalin në ekran. Gjithsecila ka krijuar personalitetin e saj aty ku është. Shqiptarëve nuk ua del dot, sepse gjithmonë do të gjejnë diçka për të të paragjykuar. Mendoj që vajzat e ekranit duhet të sjellin risi lidhur me veshjet e trendet e reja, pasi nuk mund të inspirojnë gjininë femërore që i ndjekin, duke u veshur si “murgesha“. Për mua, nuk është ekzagjerim nga vajzat, por është thjesht paragjykim nga persona me mendje të mbyllura.

Ty personalisht, të qenit velinë, mendon se të ka bërë më të ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe si i menaxhon?

Për mua, e ritheksoj, janë thjesht disa njerëz me probleme, të cilët fshihen pas rrjeteve sociale dhe derdhin helm e vrer ndaj çdokujt që po punon, sidomos njerëzve të ekranit.

Je vetëm 18 vjeçe, por çfarë planesh bën për karrierën më pas?

Kam shumë projekte në mendje, të cilat nuk më pëlqen t’i zbuloj. Por me kohën, pasi të kem realizuar ndonjërin prej tyre, do flas për to.

Modelen e kërcimtaren i ke provuar, po prezantuesen në krah të kujt moderatori do të dëshiroje ta bëje?

Mendoj që i duhet lënë kohës. Ende nuk e kam menduar se krah kujt do të më pëlqente të prezantoja. Ka shumë moderatorë të zotë, sa që vështirë të zgjedhësh, nëse do më jepej mundësi zgjedhjeje.

Ç’të tundon më shumë në jetën si vajzë televizioni?

Nuk kam as lakmi, as xhelozi dhe as ndryshim karakteri. Dua të jem gjithmonë kjo që jam, pa dashur të ndryshoj për asgjë dhe askënd.

Të jesh e famshme në Shqipëri, cilat janë anët pozitive e negative?

Çdo gjë është relative. Ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Unë do vazhdoj të shoh vetëm anën pozitive.