subscribe
Vedat Ademi pozon si model në SHBA: Sakrificat që bëj, për të mbajtur trupin në formë

Intervista

Vedat Ademi pozon si model në SHBA: Sakrificat që bëj, për të mbajtur trupin në formë

Më: 29 mars 2018 Në ora: 16:56
Vedat Ademi

Një vit pas vendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të jetuar me familjen, këngëtari i njohur Vedat Ademi ka surprizuar fansat e tij me një set fotografish ku pozon si model. Pas dy klipeve në distancë, “Bën ftohtë” dhe “Më mirë me zemër”, ai na befason kësaj here me album fotosh, ku vjen si djalë kopertinash.

I veshur me koleksionin privat ekskluzivisht për të, stiluar nga Altin Mici, ai ka pozuar për Nik Morinën në atmosferën e Filadelfias. Lajmin e shpërndau për miqtë edhe bashkëshortja e tij Dorela, shoqëruar me fjalët:

“Një super baba shembullor, një super këngëtar dhe një super model…” Për imazhin e ri si model, planet në muzikë dhe ndjesinë e babait për herë të dytë, Vedati i rrëfen për “Panorama Plus”.

Disa foto fantastike ku pozon si fotomodel i vërtetë kanë pushtuar internetin këto ditë. Si ndodhi që Altin Mici të kërkoi të bëhesh imazh i veshjeve të meshkujve të stiluara nga ai?

Faleminderit për komplimentin! Altini është një mik i mirë dhe sigurisht në mënyrë të vazhdueshme realizon koleksion të veçantë për mua. Ishte ideja ime që të realizoja një fotosesion me koleksionin më të fundit, krijuar enkas për mua. 

Fotot janë realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku po jeton aktualisht me familjen. Si do e përshkruaje këtë eksperiencë jete?

Po, fotot janë realizuar në Filadelfia (SHBA), një vend që e vizitoj shpesh. Unë jetoj në New York, në qytetin e zhurmshëm. Është eksperiencë unike kjo që ta jep New York-u, ndryshe nga pjesa tjetër e Amerikës që është më shumë Amerikë se New York-u.

Një qen i madh simpatik të bën shoqëri në këtë set. Është miku yt i ri larg Shqipërisë?

Realisht ishte një kalimtar i bukur i rastësishëm, por ashtu si më pëlqen mua të kem. Nuk kam qen, por ashtu të bukur, të pastër i kam qejf. [45647878]

Këmisha e kostume shik që të qëndrojnë shumë mirë pas trupit. Sa kushton një veshje e tillë?

Materiali dhe qepja kanë shumë rëndësi në të qenit shik. E kam shumë merak të jem i tillë dhe përpiqem shumë ta realizoj. Duke qenë se më pëlqen të vishem, e di shumë mirë çdo të thotë një firmë e mirë cilësore. Altin Mici është një stilist, që realizon kostume të cilat shumë shqiptarë i marrin në ditën e tyre të dasmës dhe në evente të bukura. Kostumet e mia të personalizuara nuk janë në shitje.

Altini Mici njihet si stilisti i meshkujve të njohur shqiptarë. Ndodh ndonjëherë që të vishni një xhaketë apo kostum që e ka veshur më parë Ardit Gjebrea, Adi Krasta apo ndonjë futbollist i Kombëtares? Apo veshjet tuaja janë të personalizuara?

Altin Mici është Altin Mici, tashmë ikonë e shqiptarëve. Veshjet që Altin Mici krijon për mua janë të personalizuara dhe mbajnë emrin tim të qepur në kostum. Altini, në mënyrë të vazhdueshme, krijon me cilësi dizenjo dhe me mjeshtëri arrin që të bëjë që secilin prej nesh të duket i veçantë. Unë kam disa vite që kam kostume të tilla dhe mund të them që i preferoj më shumë, pikërisht për faktin se janë të personalizuara.

Ke vuajtur shumë për të bërë trupin e një modeli dhe çfarë hapash ke ndjekur konkretisht për t’u transformuar?

Oh, nuk kam vuajtur! Thjesht, i jam përkushtuar të pasurit një trup të shëndetshëm, të ndjerit mirë në veshje dhe në dukje. U bëra më i njohur në një kohë që s’u kujdesa për shëndetin dhe mora peshë, më pas u ktheva në identitet si tip sportiv që jam (e panjohur kjo anë për publikun), duke ushtruar sporte dhe ajo që bëj më intensivisht është palestra. Madje, edhe kur jam me pushime, shkoj në palestër.

Dimë që familja juaj është zgjeruar me një bebe. Si mund ta përshk-ruash gëzimin që ju ka sjellë në shtëpi djali i dytë?

Jemi bekuar me një djalë të dytë. Dhe është po aq kënaqësi sa herën e parë, çdo fëmijë të bën prind në mënyrën e vet. Me djalin e parë, ndoshta nuk krahasohet ndjenja e të bërit prind për herë të parë, por i dyti djalë është ëmbëlsirë që na tërheq të treve. 

Ke menduar ta kthesh në profesion modelingun dhe kur do të dëgjojmë ndonjë projekt të ri muzikor nga ty?

Në fotosesion, jam ndjerë një model i vërtetë dhe njerëzit kthenin kokën për të na parë. Falë fotografit Nik Morina, i cili di të tregojë bukur një histori përmes çdo fotografie, mund të them se modelingu duket më i thjeshtë. Projektet muzikore shpresoj të përfundojnë së shpejti për sezonin e verës dhe më tej.

Shumë e lakmojnë Amerikën. Për ty si artist që ke provuar shumë stade në karrierën si këngëtar në Shqipëri, sa e vështirë është të depërtosh në tregun muzikor aty?

Amerika është një treg i lakmuar shumë. Ka vërtet shumë artistë dhe njëkohësisht e vështirë është të depërtosh. Unë e dëshiroj si çdokush që të kem karrierë edhe më gjerë, por jam realist për mundësitë që mund të kem. Nëse do ta kem atë shans, ka ende kohë për të folur.

Image
Image