subscribe
Mentor Haziri: Dhimbja e dashurisë që ndjeva për Agnesa Vuthajn në klip

Intervista

Mentor Haziri: Dhimbja e dashurisë që ndjeva për Agnesa Vuthajn në klip

Më: 29 mars 2018 Në ora: 16:50
Mentor Haziri dhe Agnesa Vuthaj

Për karrierën e re në Irlandë këngëtari i njohur, Mentor Haziri rrëfeu detaje në “Kënga Magjike”, ndërkohë që sapo ka publikuar projektin e tij të parë përtej kufirit me titull “When I hear your name” (Kur dëgjoj emrin tënd). Kënga është në anglisht e realizuar në Dublin me një orkestër gjigante, ndërkohë që në imazhet e klipit bie në sy pjesëmarrja e “Miss Kosova 2004”, Agnesa Vuthajt. Për finalizimin e miqësisë së vjetër me një këngë ku i këndohet dashurisë me dhimbje, njeriun që i mbush shpirtin, planet për martesë e fëmijë dhe nëse do e shohim Mentorin një ditë në skenën e Eurovizion, ai i zbulon në këtë intervistë për Panorama Plus.

“When I hear your name”, një këngë ku i këndohet dashurisë së thellë. Si lindi ky produksion ndërkombëtar?

Kënga është regjistruar vitin e kaluar në Dublin të Irlandës, kurse bashkëpunimi ka rrjedhur si rezultat i punës sime atje me muzikantët e Irlandës.

Imazhi i femrës që i këndon është Miss Kosova 2004, Angesa Vuthaj. Si do e përshkruaje bukurinë e saj?

Agnesa Vuthaj, mendoj, se ka qenë fytyra më e mirë për këtë video, ajo përshtatet shumë mirë dhe është një Sofia Loren e re, që unë fatmirësisht e kam edhe mike. Mund të them që në klip është dukur më mirë se sa e kemi pritur.

Je shprehur se njiheni prej vitesh, por tani erdhi momenti për të bashkëpunuar. Si ishte të punonit të dy?

Puna me Agnesën ka qenë shumë profesionale, madje edhe ata në Max production me thoshin që është shumë profesioniste dhe absolutisht me këmbë në tokë dhe shumë e sjellshme. Agnesa ka tipare të një femre të edukuar, prandaj edhe bashkëpunuam.

Klipi pati sukses që ditët e para të publikimit. Çfarë e ka bërë këtë fabul aq të prekshme, sa të gjejnë veten të gjithë të dashuruarit?

Me vjen shumë mirë që kjo këngë është pëlqyer tej mase, pasi është edhe anglisht dhe pak a shumë isha skeptik, po si duket njerëzit po dinë t’i vlerësojnë këngët që kanë peshë dhe që janë të realizuara profesionalisht.

Nisur nga titulli i këngës, në jetën tënde të ka mbetur një emër në mendje që sa herë e dëgjon, të trondit?

Kënga flet për dashurinë, flet për zërin e saj dhe kur ai e dëgjon, i dridhen këmbët. (qesh) Përveç kësaj është një shtrirje tekstuale që konsiston me dhimbjen e dashurisë.

Forca e dashurisë si ndikon në jetën e njeriut, po mungesa e saj?

Forca e dashurisë njeriun e plotëson, thjesht e mbyll mozaikun e aventurave dhe fillon të mendosh për veten, për të dashurën dhe më vonë për familjen. Kështu e konceptoj unë, kurse mungesa e saj është një sprovë, për mendimin tim.

Ti vetë si e ke punët e dashurisë, a ke një njeri që të mbush shpirtin?

Dashurinë po e kërkoj ende, po është dikush që më mbush shpirtin.

Martesa dhe fëmijët janë në planet e tua?

Duhet se s’bën. (qesh)

Dimë që ke nisur karrierë të re si këngëtar në Irlandë, nëse do flisnim për skenë europiane, sa gjasa ka të të shohim një ditë në skenën e Eurovizion?

Nuk e di për Eurovision-in, ndoshta…(qesh) Por dua të them se nuk jam shumë fans i atij eventi, për shkak se aty votohet me komshi, prandaj edhe nuk është se vlerësohet kënga më e mirë. Plus asaj që është një karaoke party aty, festival me nam, do e cilësoja.