subscribe
Sergio: Suksesi im ndërkombëtar me klipin për fëmijët e pasur, Dua Lipa e meriton suksesin që ka arritur

Intervista

Sergio: Suksesi im ndërkombëtar me klipin për fëmijët e pasur, Dua Lipa e meriton suksesin që ka arritur

Më: 6 mars 2018 Në ora: 14:53

Ai është djali që i ka të gjitha, pamjen, paratë dhe famën. Ka studiuar për shkenca politike, është nga Durrësi dhe ka arritur të fitojë në kohë të shkurtër zemrat e bullgarëve në muzikë. Pas bashkëpunimit me Galenën për klipin “Pantera”, Serxhio Lushku i njohur në muzikë si Sergio, po planifikon duet me një tjetër artiste bullgare, Andrean. Këngëtari i muzikës R&B, që sapo ka kaluar të 20-at , i rrëmbeu zemrat e fansave fillimisht me klipin “Dije zemër” dhe tani me klipin “RichKidz” në bashkëpunim me reperin BlazeR.

Për “Panorama Plus” ai tregon për klipin ku u këndohet fëmijëve të pasur, jetën e tij si djali që s’i mungon asgjë dhe marrëdhënien me femrat.

Klipi yt i ri “RichKids” i kaloi 1 milion klikime brenda një kohe të shkurtër. Si lindi bashkëpunimi me BlazeR?

Meqenëse është një nga personat që ka qenë thuajse pjesë e të gjithë udhëtimit tim muzikor dhe pasi vendosa që në projektin e radhës të sillja diçka ndryshe nga ajo çfarë publiku ishte mësuar të dëgjonte nga unë, “Rich-Kids”, ishte një ide, që për t’u zhvilluar, kishte nevojë për një strofë rap-i. Kështu, përse të mos ishte BlazeR këtë herë?! Dua të them se Sergio &BlazeR ecin në të njëjtat shina prej vitesh.

Dihet që ke punuar deri tani për famë dhe koncerte jashtë Shqipërisë. Cili është vendi ku të presin si super star?

Kudo që kam shkuar jam ndjerë jashtëzakonisht i vlerësuar nga mikpritja e organizatorëve, por akoma më shumë më ka entuziazmuar mikpritja e fansave. Kudo njoh njerëz që dëgjojnë repertorin tim, e kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe njëkohësisht më jep arsye për të mos ndaluar.

Si e sheh veten në tregun e këngëtarëve të famshëm, a do të veçoje ndonjë emër që mendon se e meriton famën që ka?

Kam sjellë në treg projekte të suksesshme dhe do të vazhdoj çdo ditë të jap maksimumin. Mendoj që Dua Lipa e meriton suksesin që ka arritur.

“Dije zemër” është një nga këngët e tua të famshme. Mund të na zbulosh se kujt ia dedikoje?

 “Dije zemër” është me të vërtetë një nga këngët që ka goditura në shenjë, por jo e vetmja. E tillë më lindi ideja, e hodha në studio dhe së bashku me Alfred Sulën vendosëm që këtë projekt ta finalizonim. Për disa arsye vonoi gati dy vjet, derisa u konkretizua. Videoklipi u punua nga kompania Enter-Media dhe u xhirua në Kos-ovë. Gjithçka shkoi për mrekulli dhe jam shumë i kënaqur nga mënyra se si publiku e ka pritur atë këngë. Nuk i dedikohet askujt në veçanti.

Makina, aksesorë e udhëtime të shtrenjta duket se janë kthyer në garën tjetër të djemve apo fëmijëve të pasur. Mund të na zbulosh jetën tënde si një djalë, që duket se i ke të gjitha?

Për mua, familja dhe shëndeti janë të parat, më pas vjen suksesi. Sa për mirat materiale ato nuk kanë fund, por në fund të fundit njeriu ndihet i plotësuar atëherë kur shpirti gjen qetësinë.

Kur do të publikosh projektin e radhës dhe cilat janë planet e Sergios për të ardhmen?

“Aint Got Time” & “Heart Beating Hard” janë dy projektet e mia të radhës. E para është vetëm, ndërsa e dyta është bashkëpunim me Andrean, njëri prej këngëtarëve më IN në Bullgari. Gjithçka është gati, presim vetëm publikimin.