subscribe
Albulena Haxhiu tregon planin e Vetëvendosjes për hetimin e SHIK-ut

Intervista

Albulena Haxhiu tregon planin e Vetëvendosjes për hetimin e SHIK-ut

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 19:45
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, konsideron se është e rëndësishme për vendin që PDK të shkoj në opozitë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Haxhiu thotë se, lidhur me kandidatin për Kryeministër, tashmë janë shprehur qytetarët duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje do ta drejtoj qeverinë e ardhshme. Po ashtu, deputetja Haxhiu ka nënvizuar se shumica parlamentare e drejtuar nga Vetëvendosje do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi veprimtarinë e SHIK-ut.

“Bota sot”: Si e shihni situatën aktuale në Kosovë, pas zgjedhjeve?

Albulena Haxhiu: Zgjedhjet e 11 qershorit shënuan një kthesë të madhe në skenën politike. Konsideroj se është tejet e rëndësishme që ta lexojmë qartë vullnetin e qytetarëve të Republikës të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit. Ata votuan për ndryshime, kësisoj votuan Lëvizjen VETËVENDOSJE  !, si subjekt të parë në Republikën e Kosovës. Që nga 12 qershori, ne jemi duke u angazhuar ta jetësojmë vullnetin e qytetarëve. Dyfishimi i votës për ne është vendosmëria e popullit që në krye të vendit ta ketë një qeverisje që i jep fund të keqes dhe që mundëson ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e social të tij.

“Bota sot”: A mendoni se koalicioni PAN-it të arrij ta formojë qeverinë?

Albulena Haxhiu: Pas mesazhit që e dhanë qytetarët përmes zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicioni PAN do të duhej të tërhiqej. Çdo ditë e jona, është angazhim për pamundësimin e një qeverie të klanit Pronto. Është e rëndësishme për vendin dhe qytetarët që PDK të shkojë në opozitë dhe Kosovës t’i kthehet dinjiteti, zhvillimi, mirëqenia, drejtësia, barazia. Vota e 11 qershorit ishte votë kundër një qeverisje nga koalicioni i territ, i cili u bashkua nga frika. Besoj dhe e shoh të domosdoshme që PAN të mos e formojë qeverinë.

“Bota sot”: Po qe se dështojnë PAN-i për formimin e Qeverisë, sa janë gjasat që ta formojë VV-ja?

Albulena Haxhiu: Unë besoj që koalicioni PAN nuk do të ketë mundësi të krijojë Qeverinë, përndryshe do të ishte një dëm shumë i madh. Sipas Kushtetutës së Repulikës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mandatari i kalon atij që i ka numrat. Ne e kemi shansin ideal dhe nuk duhet humbur asesi. Duke qenë kështu, ne po punojmë për një bashkim me LDK. Ne kemi bërë një thirrje publike për gjithë ata që duan t’i japin fund klanit “Pronto”. Me gjithë këta jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë për mundësinë që Kosovën ta kthejmë në kahun e duhur.. Nëse kjo nuk do të ndodhë, vendi shkon në zgjedhje.

“Bota sot”: Cilat janë kushtet e VV-së, nëse vjen deri të koalicioni me LDK-në, a do ta ketë kryeministrin VV-ja apo LDK-ja?

Albulena Haxhiu: Më 14 qershor, kryetari ynë, ka ftuar për takim kryetarin e LDK. Së pari duhet të ndodhë ky takim. Sa i përket kandidatit për kryeministër, për këtë tashmë janë shprehur qytetarët dhe në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta deformojmë vullnetin e qytetarëve. Por, s’mund e s’duhet që diskutimet për një koalicion të mundshëm të fillojë me diskutim për ndarje postesh.

Populli e ka parë se çfarë ka ofruar LDK në qeverisjen e saj sikurse e ka parë se çfarë kemi bërë ne si opozitë, por edhe si qeverisje në Prishtinë, dhe 11 qershori është fjala e popullit. 11 qershori na tregon më së miri se çfarë do populli.

“Bota sot”: Bexhet Pacolli, më një deklaratë ka thënë që duhet me heq dorë nga kryeministri Kurti e Hoti dhe të vijë në kandidat tjetër konsensual. Si e shini ju këtë deklaratë të tij?

Albulena Haxhiu: Siç e thashë edhe më lartë për këtë kanë vendosur qytetarët duke votuar Lëvizjen Vetëvendosje!, si subjekt të parë dhe Albinin si kandidatin me më së shumti vota. Edhe Behxhet Pacolli duhet ta kuptoj mesazhin që qytetarët e kanë dhënë. Ne nuk mund të veprojmë sipas dëshirave apo tekeve të Pacollit e askujt tjetër. 11 qershori e ka konfirmuar se qytetari e sheh si shpresën e vetme Lëvizjen tonë dhe kjo s’mund të mohohet nga askush. Vetëvendosje! duhet ta drejtojë qeverinë dhe vetëm kështu është i mundur ndryshimi.

“Bota sot”: Nëse VV-ja do vijë në pushtet, si do ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, ku dihet që keni qenë kategorik që demarkacioni mos të kalojë në Kuvend?

Albulena Haxhiu: Një nga prioritetet tona qeverisëse ka të bëjë me demarkacionin me Malin e Zi. Disi më duket se është bërë e tepër kjo pyetje pasi që dihet qëndrimi ynë dhe njihet mirëfilli konsistenca jonë në qëndrime. Ne kemi dhënë planin tone edhe si opozitë për këtë çështje. Me qeverisjen tonë do të bëhet rishikimi shkencor, administrativ dhe parlamentar i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Qeverisja jonë do të nisë pa hezitim negociatat me Qeverinë e Malit të Zi me synim arritjen e një marrëveshje të re për përcaktimin e vijës kufitare.

“Bota sot”: Cili do të jetë veprimi i parë që do të bëni pasi ta formoni qeverinë?

Albulena Haxhiu: Qeveria që do të drejtohet nga Albin Kurti do të përmbush 40 prioritetet përbrenda mandatit 4 vjeçar. Ne nuk japim asnjëherë premtime që nuk mund t’i mbajmë. Zbatimi i 40 prioriteteve tona do të thotë, dinjitet, zhvillim, drejtësi e barazi. Këto prioritete duhet të jetësuar të gjitha për ta kthyer shpresën në këtë vend, për të ia kthyer qytetarit dinjitetin e mirëqenien.

“Bota sot”: Keni paralajmëruar hetimin e SHIK-ut, a mund të na tregoni se si do të hetohet kjo organizatë dhe iniciativa juaj a do të thotë mosbesim në organet e drejtësisë?

Albulena Haxhiu: Me gjithë akuzat e vazhdueshme mbi organizatën kriminale e ilegale SHIK, deri më tani organet e drejtësisë nuk e kanë ndërrmarë asnjë veprim.  Duke parë mosveprimin e organeve të drejtësisë, ne si grup parlametar kemi ndërrmarë iniciativën për hetimin e SHIK-ut në legjislaturën e katërt dhe të pestë. Në legjislaturën e katërt patëm  mbledhur 27 nënshkrime për hetimin e ShIK-ut. Në të pestën i bëmë 38. Në të gjashtën, do t’i kalojmë 40, pra aq sa duhet. Shumica parlamentare e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE  ! në legjislaturën e ardhshme do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale “SHIK”, dosjet e prodhuara prej saj dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të. Të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Ju si Lëvizje Vetëvendosje keni dal të parët në zgjedhje, ku keni siguruar 32 deputet deri më tani, çka do të thotë kjo për ju si parti?

Albulena Haxhiu: Zgjedhjet e 11 qershorit ishin shumë të rëndësishme për shkak të rrethanave të krijuara në vend. Në këto zgjedhje kishte fitues, që ishim ne, por kishte padyshim edhe humbës të madh, që ka emrin PDK. Ky rezultat për ne do të thotë që qytetarët e vendit e duan ndryshimin që e sjellë Vetëvendosje  !, ata votuan për një Qeveri ndryshe, votuan kundër klanit Pronto dhe kundër atyre që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër. Ne fituam për shkak të punës tonë 12 vjeçare, për shkak të kthimit të opozitarizmit në Kuvend dhe fuqizimin e Republikës parlamentare, por padyshim që edhe për shkak të qeverisjes antikrim dhe në shërbim të qytetarëve në Prishtinë. Është rezultat shumë i rëndësishëm për Lëvizjen, rezultat i cili na bën edhe më të fortë drejtë rrugëtimit tonë por na bën edhe më përgjegjës.

“Bota sot”: Tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore sa i përket funksionalizimit të Gjykatës Speciale, si do të arrini ta menaxhoni krizën që mund ta sjellin arrestimet nga kjo gjykatë? Mendoni se do të ketë destabilizim të vendit nga Gjykata Speciale?

Albulena Haxhiu: Lëvizja Vetëvendosje!, ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale për shkak të shtrembërimit mbi të vërtetën e UÇK-së, për shkak të padrejtësisë që po bëhet mbi luftën e UÇK-së dhe për shkak se ishte një eksperiment për të hetuar e gjykuar një luftë të drejtë dhe shqiptarët që mbrojtën vendit e tyre. Presim të shohim se si do të shkojnë gjërat. Mirëpo duhet pasur të qartë, për çfarëdo që ndodhë, përgjegjëse do të mbahet qeverisja e kaluar, me theks të veçantë PDK, e cila pas votimit të saj në Kuvend, filloi të nxjerrë lotë krokodili.

Duhet të bëjmë përpjekje serioze që të krijohet gjykatë vendore, që do të hetonte gjitha krimet që kanë ndodhur nga kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë. Me qeverisjen tonë, do të bëhet padi në Gjykatat ndërkombëtare për gjitha krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.