subscribe
“LDK në asnjë mënyrë në bashkëqeverisje me PDK-në”

Intervista

“LDK në asnjë mënyrë në bashkëqeverisje me PDK-në”

Nga: Albulenë Muji Më: 27 korrik 2017 Në ora: 19:43
Valentina Bunjaku

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku konsideron qytetarët e vendit ne zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar kulturë të lartë në raport me partitë politike.  Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Bunjaku ka thënë se të gjitha partitë dëshirojnë që të bashkë qeverisin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mirëpo, ajo ka theksuar se LDK në asnjë mënyrë nuk e përkrah një bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës.

Si i vlerësoni zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit erdhën si pasoje e qeverisjes së mirë të kryeministrit Isa Mustafa. Ato u iniciuan nga opozita dhe u përkrahën nga PDK si partnere e koalicionit me LDK. Në vend se vendi të ecë përpara me qeverisjen Mustafa në shërbim të qytetareve, atyre ju seruan zgjedhje të reja, krejt në interes të opozitës dhe PDK. Përkundër kësaj qytetaret e vendit edhe në këto zgjedhje treguan një kulturë të larte në raport me partitë politike dhe procesi shkoi shume mire.

 Çfarë mendoni,a ka pasur parregullsi në këto zgjedhje?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Vet ankesat e parashtruara të disa kandidateve për deputete për parregullsi si duket japin shenja negative. Pastaj procesi i stërzgjatur i numërimit dhe rinumërimit të disa kutive lë vend për dyshime. Mendoj se ka vend për shumë përmirësime për t`i larguar dyshimet për parregullsi.

LDK ka dal partia e tretë në këto zgjedhje,cilat mendoni që janë shkaqet për humbje të votave nga qytetarët?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK ofroi programin më të mirë qeverisës. Kandidatet e saj në listë ishin garancë për implementimin e saj në zhvillim të vendit. Ishte lista më e mirë dhe e pastër në raport me listat tjera në krye kandidatin për kryeministër prof Avdullah Hoti. Megjithatë qytetari dha verdiktin e vet dhe ne dolëm si parti e dytë. Koalicioni me PDK në interes të vendit doli të jetë në dëm të LDK-së. Ky koalicion lëndoi elektoratin tonë dhe tash duhet bërë analizat e thella për të rikthyer besimin partiak, sepse ne duhet të kthehemi si parti e parë në vend sepse i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme.

 A duhet bërë reforma brenda LDK-së?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Reformat në secilën parti janë imperativ i kohës. Ato janë të domosdoshme edhe në LDK në harmoni me analizat që duhet bërë nga KP dhe kryesia e LDK gjithmonë në balancim me kërkesat e elektoratit të saj e në interes të vendit.

 A do të jetë LDK pjesë e qeverisë së re?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK ishte pjesë dhe në krye të qeverisë më të suksesshme që nga paslufta në Kosovë. Te gjitha partitë tjera punuan dhe votuan për rrëzimin e saj dhe tani të gjitha e dëshirojnë në bashkëqeverisje. LDK është parti institucionale e dëshmuar tanimë dhe ajo do të jetë produktive qoftë në bashkëqeverisje apo në opozitë.

Sa jeni të qëndrueshëm sa i përket kundërshtimit për koalicion me PAN?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Ne kishim takim si grup parlamentar me kryetarin Mustafa këto ditë. Ishim të qartë, në asnjë mënyrë LDK nuk e përkrah më një bashkëqeverisje me PDK si pasoje e shkeljes se koalicionit paraprak e cila megjithatë ishte bërë për interesa te vendit. PDK shkeli mbi çdo norme të një morali politik dhe tashme rrugët janë të ndara e të qarta.

Cilat janë kushtet e LDK për bashkëpunim me VV?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Përputhja e programeve, harmonizimi i tyre në sfera të caktuara, sidomos në ato të cilat janë shumë të ndjeshme. Vendi ka nevoje për zhvillim, kemi mbetur mbrapa dhe qytetarët nuk e duan dhe nuk e meritojnë një gjendje të tillë. LDK ka program të mirëfilltë në secilin sektor në krahasim me VV e cila vazhdimisht thirret në një program 40 pikësh por jo konkret. LDK nuk është parti e protestave, e dhunës dhe e gazit lotsjellës. LDK është parti e proceseve për ecje përpara, parti e respektimit të ligjit dhe të institucioneve të ndërtuara me mund edhe pse me disa gabime nëpër etapa të ndryshme kohore.

A do të ishte kryeministri kusht i LDK për hyrje në koalicion me VV?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Unë mendoj se programi dhe harmonizimi i implementimit të saj duhet qenë kusht. Megjithatë LDK garanton se me kryeministrin Hoti dhe partneret e koalicionit të besimit të ndërsjellë mund të kthejnë shpresën e qytetareve për një jetë me të dinjitetshme duke jetuar dhe punuar e dashur vendin e tyre.

Kohëve të fundit është përfolur për një kryeministër konsensual, a do të pranonte LDK një gjë të tillë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK gjithmonë ka hapur shtigje. Edhe presidenti Rugova në atë kohë pati pranuar edhe pse kishte përkrahjen absolute të qytetareve por jo të mjaftueshme. Por presidenti kishte zemër të madhe dhe gjeti zgjidhje. LDK mendoj se do të pranoje një kryeministër konsensual në interes të vendit i cili do të kishte besimin e të gjitha grupimeve politike dhe qytetareve të vendit. E tëra kjo në interes të zhbllokimit të proceseve të ndërlikuara e të krijuara nga oponentët e saj,edhe tani. Por për këtë sigurisht se vendoset në organet e larta të LDK-së.

Çfarë mendoni a do të ketë krize të formimit të qeverisë së re?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Realisht nuk duhet të kishte. Të gjitha partitë tjera kërkuan zgjedhje të reja dhe ato duhet ofruar zgjidhje tani. Por ato si duket krijuan krizë dhe prape kërkojnë shpëtim nga LDK. PAN-i thirret se i ka numrat, nëse i ka s`duhet të kishte krizë, ndërsa VV thirret se duhet dërguar PDK në opozitë dhe zgjidhja është të manifestojë bashkëpunim në përputhje me interesat e vendit, nëse e kanë seriozisht mbetet të shohim.

 Si do të veproni me demarkacionin, a do ta votoni?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Pikërisht demarkacioni ishte njolla e zeze e qeverisjes së kaluar. Ishte kriteri i vetëm i paplotësuar për liberalizim të vizave dhe njëkohësisht faktori i shpërfaqjes se patriotizmit momental të disa politikaneve në këtë periudhë. Me një modofikim ilustrativ sa për arsyetim në qeverisjen e ardhshme duhet të kalojë. Qytetarët e paguan shtrenjte këtë dhe ky proces duhet tejkaluar në qeverisjen e ardhme, sigurisht.

 Si do te veproni me Asociacionin?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Edhe me asociacionin duhet gjetur konsensus të plotë. Është në interes të vendit të dhe qytetarëve të ecet tutje. Duke i respektuar marrëveshjet që dërgojnë në tejkalim të situatave nganjëherë të dhimbshme por patjetër të nevojshme.

 A do të ketë Kosova ushtrinë në vitet e ardhshme?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Veç është dashur ta ketë tashmë. Por jo një ushtri formale sa për të thënë. Veprimet duhet koordinuar me faktorin ndërkombëtar në përputhje me kushtetutën e vendit dhe në interesa të saj dhe rajonit.

A do të përmbushen kriteret për liberalizimt e vizave?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Patjetër se po. Qytetaret e vendit nuk e meritojnë të mbeten të izoluar padrejtësisht edhe nga faktori vendor mendoj. Duhet tejkaluar çdo barrierë dhe ata të ecin lirëshëm nëpër Evropë.

Ju jeni deputete nga Gjilani, cilat janë tri çështjet e para që do t`i ngritni në parlamentin e Kosovës për këtë qytet?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Vij nga pozita e kryesueses se kuvendit të Gjilanit. I njoh mirë problemet dhe nevojat e Gjilanit, qytetareve të saj kërkesa që do të mundohem krahas obligimeve të tjera t`i adresoj në kuvend. Gjilani dhe Anamorava kanë nevoja të shumta për investime kapitale, krijimi i ambientit të mirëfilltë për investitorë vendor dhe të jashtëm duke e njohur Gjilanin si qytetin multietnik dhe më të qetë në Kosovë. Ofrimin e mundësive të mira për fermerë duke e ditur se Gjilani ka toke të mirë agrare. Gjithashtu avansimi i rolit të gruas në biznes duhet përkrahur me politika të mirëfillta dhe kësaj duhet dhënë hapesirë. Ka edhe shumë nevoja tjera .

Jeni kryetare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, a do të jepni dorëheqje nga ky post, duke qenë se tashmë jeni pjesë e kuvendit të Kosovë?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Unë i falënderoj qytetaret e Gjilanit të cilët nga Kuvendi Komunal më përkrahën që tash të jem në Kuvendin e Kosovës. Unë qysh në seancën e fundit i kam ofruar dorëheqjen kryetarit Haziri dhe kuvendit. I falënderoj të gjithë koleget të të gjitha partive dhe ju dëshiroj punë të mbarë në interes të qytetarëve të Gjilanit.

 Zgjedhjet lokale po afrohen, kush do të jetë kandidat i LDK për kryetar të Gjilanit?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Mendoj se Gjilanit i duhet edhe një mandate 4 vjeçar nga LDK dhe kryetari Haziri. Përkundër problemeve të shumta të trashëguara janë bërë dhe po bëhen punë të mëdha. As LDK dhe as Gjilani nuk ka kandidat më të mirë tash se Lutfi Haziri. Atij i duhet mandati i ardhshëm që ti kryeje projektet madhore dhe drejtoje Gjilanin në një qytet vërtet modern.

Si e vlerësoni punën e kryetarit Haziri në qytetin e Gjilanit?

Valentina Bunjaku Rexhepi:Kryetari Haziri e ktheu vëmendjen e Prishtinës,Tiranës dhe Brukselit në Gjilan. E ktheu edhe të qendrave të mëdha vendimmarrëse duke nënshkruar marrëveshje partneriteti të cilat për dikë janë dukur iluzion. Pamja e qytetit po ndërron duke filluar nga tri hyrje daljet të cilat po i japin qytetit pamje të re. Projekti i lumit Mirusha si problem i shekullit të kaluar tashme pritet të fillojë pasi që janë zotuar mjetet nga qeveria Austrisë. Për katër vite kemi investime kapitale në të gjithë sektorët. Gjilani njihet si qytet i qetë, kulturor, i sportit dhe i bashkëjetesës dhe në të ardhmen duhet njohur si qytet Europian e qeverisur nga kryetari Lutfi Haziri.