subscribe
Adrola Dushi zbulon pengun më të madh në jetë: Po rrëmbej kohën që…

Intervista

Adrola Dushi zbulon pengun më të madh në jetë: Po rrëmbej kohën që…

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 09:54
Adrola Dushi

Edhe pse udhëtimet drejt Tiranës kanë qenë të shpeshta, gjatë këtyre dy viteve të fundit Adrola Dushi është përballur plotësisht me jetën amerikane. Më saktë me ‘Ëndrrën Amerikane’. Ditën kur vendosi të merrte avionin bashkë me djalin e saj të vogël, bukuroshja shqiptare, ish-‘Miss Universe Albania’, i mori parasysh të gjitha: edhe vështirësitë që do të ndeshte si nënë beqare, edhe sfidën që paraqiste në vetvete puna si modele në SHBA, edhe dilemat që e prisnin, pendesat, dyzimet nëse kishte marrë vendimin e duhur, pasigurinë nëse djali i saj, Troi, do të përshtatej ose jo.

Ajo u nis me bindjen se do ia dilte. Të paktën do të përpiqej me të gjitha forcat ta përmbushte ambicien e saj si modele, por në të njëjtën kohë do të ishte edhe një nënë e mirë. Një mision i vështirë natyrisht. Kushdo që e ka provuar e di mirë se Amerika është vërtet ‘Toka e Premtuar’, por ‘Ëndrra Amerikane’ do shumë punë e mund për t’u përmbushur. Një ditë nuk i ngjan tjetrës dhe mundësitë ikin e vijnë shpejt. Ritmi i përtej oqeanit është marramendës e nëse nuk e kap dot, gjithçka mund të përmbyset.

Adrola Dushi i dinte të gjitha këto, këtu e dy vjet e gjysmë të shkuara, kur i hipi avionit me premtimin se nuk do të kthehej kurrë më. Për më tepër që vendimi i saj nuk mund të kishte kthim mbrapa. Shumë gjëra kishin ndodhur në jetën e saj, shumë të papritura, disa të mira e disa të këqija. Sido të ish, mendimi i vetëm ishte të merrte jetën e saj në dorë e t’i kthehej punës. Me shoqëruesin e saj të vogël, engjëllin që i pat bekuar jetën pa paralajmërim, Troin, iku dhe e nisi gjithçka nga fillimi.

“Kur erdha kisha ide të ndryshme në kokë e tani që shoh pas çuditem edhe vetë se sa shumë kam arritur”, – thotë bukuroshja shqiptare, në këtë rrëfim për “RevistaWho“. “Edhe pse pa përkrahjen e askujt, pa njohur askënd, tanimë kam kontratat e mia të punës si imazh kompanish të mëdha, fushatat publicitare për firma kozmetike e të tjera. Janë punë që më kanë siguruar të ardhura të mira dhe më mundësojnë jetën që dua të bëj edhe pse natyrisht gjithçka është realizuar duke i hyrë në hak kohës që duhet të kaloj me familjen e sidomos me djalin tim, Troin”.

Në fakt Troi është meraku më i madh i Adrolës. Në kohën e pikut të punëve, kur i duhet të udhëtojë e të jetë e angazhuar me kohë të plotë, Troin e sjell në Tiranë tek i ati. Familja e Adrolës jeton gjithashtu në SHBA, por ata janë larg dhe të gjithë të angazhuar me punë. Për këtë arsye, me mirë se me dado, modelja e famshme e ka parë të arsyeshme ta sjellë në Tiranë Troin e vogël, në familjen e të atit, aty ku të gjithë e duan. Ndërsa kur është e lirë udhëton sërish për ta marrë të voglin e saj me vete.

“Për këtë arsye, kur njerëzit më pyesin se ku jetoj, shpesh u përgjigjem ‘në avion'”, – thotë Adrola. “Troi është një fëmijë i mrekullueshëm, është një bekim dhe unë ulem në gjunjë përpara tij. Ai ka vuajtur shumë nga të gjitha këto lëvizje, nga gjërat që ndodhën dhe kjo është çka më lëndon pa fund”.

Por ai është i vogli i saj dhe Adrola ka besim se të dy do ia dalin. Natyrisht jeta ka të papriturat e veta dhe ajo çka sjell fati jo gjithmonë është e parashikuar apo e dëshiruar. Troi lindi shpejt, kur Adrola nuk ishte më shumë se 20 vjeçe, pastaj erdhi divorci, vendimi për të ikur, fillimi nga e para për gjithçka dhe të gjitha këto lënë gjurmë në jetën e njeriut. Prandaj shpesh, kur kthen kokën pas, modelja ndjen pendesat e veta për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet, vendimet dhe ngurrimet e saj.

“Si çdo njeri kam pendesat e mia për momente apo vendime të caktuara që kam marrë në jetë. Do të kisha dashur që shumë gjëra të ishin ndryshe”, – thotë ajo. “Ndonjëherë mendoj se nëse Troi do të kishte lindur më vonë, të dy do ta kishim shijuar më shumë njëri-tjetrin. Tani më duhet të qëndroj shpesh larg tij, të merrem me angazhimet profesionale dhe kjo sigurisht është e vështirë. Por unë do të bëj më të mirën për jetën tonë”.

Thënë ndryshe, kohë pas kohe Adrola është ndjerë e privuar nga prania dhe dashuria e Troit, ama përgjatë këtyre viteve në Amerikë ka bërë plot gjëra për të cilat ia vlen të krenohet. Muaji që vjen është periudhë e ngarkuar për një modele të suksesshme si ajo, është periudhë festash e përkthyer në impenjim për të. Dhjetori e pret me kontratën që ka nënshkruar për “Mac Cosmetics” e pas tij për kompani të tjera që agjencia përfaqësuese e Adrolës në Manhattan ka gjetur. “SHBA janë një treg i madh dhe konkurrent për një modele. Mjafton të ulesh 5 minuta në një kafe e të shohësh të të kalojnë para syve njerëz nga e gjithë bota. Ka modele ka fund që duan ëndrrën. SHBA-të janë një sfidë, por ajo që di t’ju them me siguri është që këtu thelbësore është të qenit vetvetja dhe mirësjellja. Në fillim trembesha kur shkoja në foto sesione për kompani të ndryshme, nuk dija çfarë të bëja dhe imitoja modelet e tjera. Nuk funksiononte asnjëherë. Vetëm kur fillova të prezantohesha si Adrola, të shfaqesha siç isha në të vërtetë, vetëm atëherë nisi të ecte edhe puna. E them këtë edhe për çdo vajzë tjetër që dëshiron të hyjë në tregun amerikan të modës. Këtu më shumë se asgjë vlerësohet të qenit vetvetja”.

Por cila është ëndrra e madhe e Adrolës? Dikur majën e mendonte tek ‘Victoria’s Secret’, edhe pse asnjëherë nuk u impenjua seriozisht të arrinte aty. Të paktën deri tani, jo! Ndërsa tani, pasi e ka prekur tregun e modës prej verteti, përveç ‘Victoria’s Secret’, në synimet e modeles janë edhe fushatat e kompanive të mëdha si ‘Armani’, ‘Chanel’, ‘Valentino’, etj.

“Kam një jetë, kam përgjegjësitë e mia, por edhe ambiciet e mia dhe natyrisht do t’i marr gjërat me radhë. Asgjë nuk është e pamundur”.

Siç nuk janë të pamundura edhe pritshmëritë e saj në fushën e modelingut. Adrola e ka prekur ‘Ëndrrën Amerikane’ edhe pse i është dashur të sakrifikojë jo pak.

Pas dy ditësh ajo do të jetë sërish në Tiranë. Do të vijë këtu bashkë me Troin dhe përpara së të largohet sërish në SHBA do të shkojnë të dy në Paris, në ‘Disneyland’, ku do të festojnë 5-vjetorin e të voglit të saj. “Kur lindi Troi, e mora në krahë, i mora erë për herë të parë dhe i thashë: Ne do të rritemi bashkë të dy”, – kujton duke qeshur. E me sa duket kështu po ndodh: Adrola dhe Troi po i kapërcejnë të dy sfidat e jetës. Pas dy javësh do të gëzojnë bukuritë e Parisit dhe ‘Disneyland’, ndërsa më pas do të ndahen për t’u bashkuar sërish pas disa javësh.

Por edhe sa kohë do të vazhdojë kështu dhe ku e sheh të ardhmen Adrola? Ka kohë të mendohet e të vendosë edhe një vit, kur të vijë momenti që Troi të fillojë shkollën. “SHBA-të janë vendi i mundësive dhe puna e modeles të siguron një jetesë të mirë”, – thotëAdrola. “Unë kam punuar edhe në Evropë si modele, në Gjermani, Zvicër e vende të tjera. Nuk kam provuar Londrën. Ndoshta do të iki atje. Kam ende një vit kohë për ta menduar. E sigurta është që do të bëj më të mirën për ne”.

Në plane janë edhe studimet në një shkollë arti për aktrim, një ëndërr e vjetër në sirtar që ndoshta kur t’i vijë koha do të përmbushet edhe ajo. Por kjo i përket një kohe të mëvonshme. Tani për tani Adrola Dushi i është mirënjohëse fatit që e përkrahu në karrierë dhe po bën plane që të përmbushë njësoj bukur edhe jetën familjare me Troin. Sado e vështirë dhe sfiduese të jetë kjo, modelja sharmante shqiptare nuk heq dorë. 

Image
Image
Image
Komentet
comments powered by Disqus