subscribe
Alba Bajrami: Në garë me bukuri natyrale, si ishte të konkurroje me miss-e që i kanë thënë “po” kirurgjisë

Intervista

Alba Bajrami: Në garë me bukuri natyrale, si ishte të konkurroje me miss-e që i kanë thënë “po” kirurgjisë

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 13:47
Alba Bajrami

50 vajzat më të bukura të 50 vendeve të ndryshme të botës parakaluan në Amfiteatrin e Tiranës në garën e “Miss Globe 218”, kurorën e së cilës e fitoi “Miss Kina”, Yo Yizhou.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, Alba Bajrami, rrëfen për “Panorama Plus” emocionet e një rivaliteti aspak të thjeshtë:

Një tjetër garë bukurie, por kësaj here botërore që u organizua në Amfiteatrin e Tiranës. Si u ndieve mes 50 miss-eve nga i gjithë globi?

U ndjeva shumë e lumtur në atë skenë të magjishme dhe shumë krenare që përfaqësoja Shqipërinë. Ishte një garë plot emocione, një eksperiencë e re për mua dhe e paharrueshme.

Kurorën e më të bukurës e fitoi “Miss Kina”, Yo Yizhou. Ç’mendim ke për bukurinë e saj dhe u mërzite që s’e fitove ti kurorën?

“Miss Kina” është një vajzë shumë e mirë, e shoqërueshme dhe shumë e bukur. Jo, nuk u mërzita, pasi në këtë kompeticion jo vetëm u miqësova me vajza nga e gjithë bota, por dhe mësova më shumë rreth kulturave të tyre.

Në fjalimin e fitores ajo tha se u bë shoqe e ngushtë me rivalet, ti ishe një prej tyre?

Në çdo kompeticion ka dhe rivalitet, pasi të gjitha vajzat synojnë kurorën. Por në “Miss Globe 2018” mbizotëronte harmonia mes vajzave.

Ty personalisht bukuria e cilës prej vajzave të mahniti?

Për mua, çdo femër është e bukur dhe të gjitha vajzat aty ishin shumë të bukura. Gjithsecila prej tyre kishte të veçantën e saj, që bënte dallimin nga njëra-tjetra.

Kishte nga ato që kishin bërë ndërhyrje estetike, pasi mesa dimë tani lejohen të konkurrojnë edhe ato në gara bukurie?

Nga vendet që vinin vajzat, ndërhyrjet estetike janë pjesë e kulturës së tyre. Por nuk ishin të ekzagjeruara.

Të arrish të jesh e bukur me tiparet që të ka dhuruar Zoti është pak sfiduese, nëse krahasohesh me vajzat që mund t’i bëjnë si të duan tiparet në sajë të kirurgjisë?

Jo, pasi jam e lumtur me trupin dhe tiparet që më ka falur Zoti dhe që kam trashëguar nga prindërit e mi.

Je vetëm 16 vjeçe. Çfarë armature (në kuptimin figurativ të fjalës) more me vete për të bindur jurinë?

Nuk kisha nevojë për armaturë me vete, pasi më karakterizon eleganca, hijeshia dhe inteligjenca, të cilat më shoqërojnë gjithmonë.

Nga “Miss Shqipëria” që u mbajt në kala, kjo garë kishte tjetër atmosferë, atë të amfiteatrit. Në cilën skenë u ndieve më superiore me bukurinë tënde?

Çdo skenë ka magjinë e saj. Kalaja e Tiranës mbart me vete histori, por as Amfiteatri nuk mbetet pas, sepse ajo skenë ishte shumë e magjishme sidomos pas restaurimit që i është bërë.

Je shprehur se synon ekranin, ç’plane ke bërë në kokën tënde për karrierë në televizion?

Nuk është se kam bërë ndonjë plan, thjesht ia kam lënë kohës. Çfarë të më sjellë koha, e mirëpres!

Image
Komentet
comments powered by Disqus