subscribe
Robert Aliaj: Urrej femrat që bëjnë para duke shitur veten, duan të pasurohen brenda natës

Intervista

Robert Aliaj: Urrej femrat që bëjnë para duke shitur veten, duan të pasurohen brenda natës

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 15:08
Robert Aliaj

Ai i kthen tabutë në armë për të luftuar të tjera tabu. Me Robert Aliaj mund të flasësh për gjithçka e mund të kalosh lehtësisht nga jeta te vdekja, fytyrën e së cilës e pamë në qindra versione natën e “Halloween”-it.

Si një nga anëtarët prej vitesh të jurisë së “Dance with me”, artisti kontravers ngre zërin për gjithçka që s’i pëlqen brenda show-t dhe jashtë tij. Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, ai komenton Tiranën që sheh kur vjen nga Bruksesi, atje ku jeton me familjen prej vitesh, artin kundër banalitetit, politikën larg lakmisë dhe epshit për pushtet, femrat… Nëse evokimet e tij publike janë fjalime për drejtësinë apo monologje për katharsis, ai i zbulon në rrëfim jashtë kornizave.

U bënë vite që je pjesë e panelit të spektaklit të kërcimit “Dance with me”. Duke qenë se je artist që jeton mes muzikës, pikturës, fjalës, fotografisë e filmit, kur kthen sytë nga vetja, sa në sinkron ndihesh me gjithçka që ndodh në atë show?

Po qe se do të ndiehesha në sinkron, nuk do të isha pjesë. Ka një arsye pse jam aty.

Mes Valbona Selimllarit dhe Kledi Kadiut, me cilin prej tyre ndihesh më afër në mënyrën e të të parit të detajeve?

Kjo varet se çfarë quani ju detaje. Nuk besoj që gjykimet e mia kanë përafërsi me gjykimet e tyre, nga pikëpamja konceptuale mbi të gjitha. Prandaj është i paevitueshëm keqkuptimi. Si mund të gjykosh për një individ, që kërkon të jetë korrekt me lëvizjet dhe e/i pabesë me shpirtin. Unë nuk dua të bie në mediokritet të gjykoj pjesën mekanike të dansit, do më dukej e lodhshme dhe jo interesante, sepse dansi ashtu si poezia, është më intimja e arteve të bukura. Prandaj jam i fokusuar në zbërthimin e angazhimit të personazheve në aspektin psikosocial, poetik ndoshta, për të evituar gjykimin për diçka që ata, as nuk janë, as nuk do të jenë kurrë.

Çifte dhe disiplina të ndryshme kërcimi, nga java në javë. Cilit prej djemve do i rrëmbeje partneren për të kërcyer një vals?

Çifte dhe disiplina të ndryshme në looping monotony. Vajzat kërcejnë në rrethin e brendshëm dhe djemtë në pjesën e jashtme. Unë jam paralel.

Puntata e fundit e “Halloween”-it u shoqërua me një debat të ashpër kur ti u ngrite dhe ike nga paneli. Çfarë të acaroi realisht aq shumë?

Unë u largova me qëllim që t’i jepej fund asaj situate. Kur ne kërcejmë, normalisht, ajo që ndiejmë më shumë është koneksioni me trupin tonë, me gëzimin tonë dhe me një shpirt komuniteti të vërtetë. Unë u përfshiva në këtë ndjesi. Ndërkohë, nuk ndodhi kështu në skenë. Ata harrojnë që në dans është më e rëndësishme të ndiehen mirë, sesa të duken mirë.

Dhe pa pikë turpi, u ndërpreva disa herë në mënyrë flagrante banale, unë që po ndiehesha mirë për hesap të tyre, kisha diçka pozitive për të thënë. M’u duk vetja si në ato debatet televizive politike, ku secili nga opinion istët që duken më shumë si militantë politike, bën zhurmuesin për t’i prishur mendimin tjetrit. Debate ku nuk elaburohet një mendim universal me interes publik, thjesht, futja secili për hesap të vet. Kaq. E pamundur të imagjinosh një performancë valsi, teorikisht elegante, të degradojë në batuta humori provincial.

Pamë edhe vampirë në atë show. Nëse do të ishe një i tillë që do të jetoje me gjak njerëzish, ti cilin mashkull apo femër do të kafshoje në qafë plot pasion, pra, që do të doje t’i provoje shijen e gjakut?

Përgjigjen do t’ua kthej kur të bëhem vampir.

E komentove vdekjen si dhuratën më të bukur të jetës. Si do të dëshiroje të vdisje? Po në këtë jetë, çfarë të shijon për vdekje?

Secili do vdesë një ditë. Kështu që kjo çështje nuk është çështje. Vdekja është çelësi i dritës. Mbyllja e një llogarie rrjedhëse ose përfundimi i një udhëtimi. Është një ngjarje më e madhe se lindja. Ashtu siç përgatitemi për mbylljen e çfarëdo llogarie, ne duhet ta bëjmë edhe në këtë rast. Disa e bëjnë. Disa zvarriten. Disa nuk kanë shans ta bëjnë.

Në jetën tënde jashtë ekranit dhe filozofive për jetën, çfarë burri dhe babai është Roberti për gruan dhe dy fëmijët e tij?

Këtë nuk e di, nuk jam as burri dha as babai.

Nëse do të ishe lider në politikë apo lider shpirtëror në fe, për çfarë do u flisje njerëzve?

Si politikan? Si shpirtëror? Mënyrën se si mund t’u adresohesha njerëzve, nuk do ta përcaktonte as pamja, as përvoja. Perëndia përdorte të papriturat, komunikimin aspak impresionues dhe veprimet pa përvojë për të arritur të paimagjinueshmen. Çdo gjë me zemër.

Gandhi nuk pati vështirësi që t’i bënte bashkë politikën me shpirtëroren. Ai mendonte se nuk mund të udhëhiqte një jetë shpirtërore pa u identifikuar me njerëzimin dhe këtë e bëri vetëm kur u bë pjesë e politikës. Populli është i etur sot për një politikë të bazuar e të udhëhequr nga vlerat morale, për një politikë që nuk apelon vetëm për interesat e veta dhe konfliktet.

Ata kërkojnë një diskurs politik, që flet për vlerat e tyre të thella si qenie njerëzore. Që promovon një sens më të madh komuniteti dhe një qëllim suprem si komb. Që ofron një vizion më të lartë të jetës publike dhe shërbimit ndaj më të mirës së përbashkët. Larg tërheqjes, lakmisë dhe epshit për pushtet. Ja, kështu do t’u drejtohesha unë atyre.

Dihet që koha televizive kërkon koncentrim, pra, të shprehësh mendimin në pak sekonda. Si e stimulon trurin për të mos humbur elokuencën dhe artin e fjalës?

Jam kurioz.

Po trupin si e mban në formë për të ruajtur të njëjtën performancë fizike gjithë jetën?

Jam kështu padashje.

Kur lindi dashuria jote për muzikën, po për pikturën?

Kemi lindur së bashku.

Për pikturat e Edi Ramës, sot Kryeministër i vendit, mund të dimë mendimin tënd, çfarë ndjesie të japin?

Edi Rama është piktori që kërkon të aplikojë rregulla artistike në politikë.

A mund të quhen evokimet e tua publike fjalime për drejtësinë, apo monologje për katharsis?

Unë besoj që jam një refleksion i mendimit të njerëzve të thjeshtë, të atyre që nuk kanë mundësi. Unë besoj që them gjëra që do t’i thoshte çdo shqiptar i ndershëm po t’i jepej rasti. Thjesht, jam zëdhënës i tyre.

Trupi, shpirti, mendja si qëndrojnë të lidhura në ty si Bert?

E gjithë kjo lidhje quhet: Vetështrirje, në linjë me veten. Kur unë jam ai që jam, kur bëj atë që më bën të lumtur, unë ndiehem në harmoni me veten time, në përputhje me vetëdijen, që më udhëzon ndërmjet një ndjenje gëzimi dhe entuziazmi. Një gjë është e sigurtë, ai që e ka shijuar një herë vetështrirjen, nuk do ta përballojë dot të qenurit dikush tjetër, pa vibracionet e veta, me rrahjen e zemrës në tjeter ritëm.

Le të flasim pak për femrat, të cilat ti sa i poetizon, po aq edhe i shigjeton. Je shprehur se femrat shqiptare ndryshojnë shumë nga ato të huaja kur vjen puna te seksi. A mund të na e thuash se ku ndryshojnë konkretisht?

Po kërkoni lajm edhe ju më duket! Në Shqipëri ka një trend të çuditshëm, edhe shpjegimi që jepet është i çuditshëm. Këtë e di kushdo dhe mund t’ia bësh pyetje kujtdo në Tiranë dhe ai do të të përgjigjet: Duan lekë plako, duan makina luksoze, duan të martohen me të huaj, nuk i pëlqejnë shqiptarët, duan të pasurohen me çdo kusht dhe brenda një nate. Lëre pastaj që me paret, që kanë fituar me shitjen e vetvetes, bëjnë postime vulgare nëpër rrjete sociale, sikur janë të pasura dhe bëjnë jetë të shfrenuar e të tjera vulgaritete si këto. Ku ndryshon nga prostitucioni? Nuk ndodh kështu gjetkë.

Komentet
comments powered by Disqus