subscribe
Deniza Miftari drejt suksesit për tu bërë deputete e parlamentit belg

Intervista

Deniza Miftari drejt suksesit për tu bërë deputete e parlamentit belg

Nga: Albulenë Muji Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 19:05
Deniza Miftarin

Është vetëm 23 vjeç, por sukseset e saj në jetën politike nuk kanë të ndalur. Bëhet fjalë për Deniza Miftarin, e cila është një prej shqiptareve më të suksesshme në politikën belge.  Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ajo ka folur lidhur me rrugëtimin e saj në politikë fillimisht si përfaqësuese e të rinjve e më pas si asambleiste komunale. Por, ambiciet e saj nuk përfundojnë me kaq. Denizën shumë shpejt mund ta shohim edhe si deputete të parlamentit të Belgjikës derisa synimi i saj janë edhe Kombet e Bashkuara.

Si jeni bërë pjesë e politikes belge?

Deniza Miftari: Gjithmonë kam qenë e angazhuar në aktivitete politike por jo gjithmonë brenda një partie. Jam person me opinion të fortë dhe kam një pasion për shkrimin. Prandaj fillova të shkruaja opinione/kolumne rreth temave aktuale. Si femër e huaj dhe shqiptare shpeshherë u konfrontova me padrejtësi dhe gjëra jo humanitare. Përderisa u informova në tema të ndryshme, fitova edhe vetëbesim që ta prezantoj vetën si banore Belge, e cila nuk dallon prej tjerëve. Përreth meje nuk pash shumë femra me prejardhje të huaj në organet vendimmarrëse dhe aty e mora përgjegjësinë përsipër që të jem e para. Qe t’ju jap besim edhe femrave tjera shqiptare apo të huaja që edhe ato mund të arrijnë atë që duan. Së bashku me një shoqe marokiene Hafsa Faik e filluam një organizatë të vogël me femra të huaja të cilat kanë një opinion të fort që duan të arrin diçka në jetë. Aty flasim për eksperiencat tona në praktikë, në studime apo në punë. Kështu mësojmë nga njëra tjetra dhe nuk ndihemi vetëm. Ndërkohë isha edhe anëtare e Aleancës së të rinjve të Roeselare dhe kryetare e fakultetit,  kështu që kisha shumë përvojë dhe ‘të njohshëm’ të cilat më ndihmuan shumë shpesh. Kështu rashë në sy edhe në politikën komunale dhe më kontaktuan.

 Cili ishte motivi i përfshirjes suaj në politikë?

Deniza Miftari: Për mua demokracia është kur politika pasqyron një komunitet. Kjo aspak nuk është çështja në Belgjik. Duhet të përfaqësohen femrat, imigrantët, ndërmarrësit, rinia, të moshuarit, etj. Sot elita e përfaqëson ‘middle class’ dhe marrin vendime për ta pa pasur asnjë lidhje apo eksperience me ta. Mua me duket problem kur një person i cili është shumë negativ rreth imigrantëve dhe refugjatëve zgjedhet sekretar i azilit dhe migracionit. Aty dihet se çfarë vendime do të marren. Shumë gjatë dyshova se a do të hyj në një parti sepse për të qen aktive në politik nuk duhet të jesh anëtare e ndonjë partisë. Ndërkohë kur flisja me shoqe të cilat ishin shumë ambicioze dhe të zonja, ato thoshin që nuk duan të angazhohen sepse nuk mund të ndryshojnë asgjë. Kjo mua më duket shumë problematike sepse shumë njerëz mendojnë që nuk mund të ndryshosh asgjë. Aty unë besoj që mundem kështu që, së bashku me mbështetjen dhe kurajën që e mora Nga babi, vendosa ta bëj.

“Bota sot”: Si është të jesh e përfshirë në politikën belge?

Image
Deniza Miftarin

Deniza Miftari: Është çudi të jesh fytyra e ndonjë organizate apo partie. Në fakultet jam fytyra e bordit studentor si kryetare por në qytetin tim jam fytyra e partisë së gjelbër dhe fytyra e të rinjve ekologjik. E ndjej një përgjegjësi dhe një presion të madh sepse çdo gabim i yti të përcjell. Edhe fakti që je fytyrë publike s’do të thotë që të gjithë të duan. Madje edhe brenda partisë ka konkurrencë dhe mundohen të arrijnë më shumë se ty. Ka xhelozi dhe inat dhe kjo është e kuptueshme sepse fushata është një periudhë intensive kështu që të gjithë duan të kenë një rezultat të mirë. Në fillim eshit vështir të dëgjosh kritika apo të lexosh komente negative por dikur i ke lexuar të tërat sepse e përsërisin të njëjtën gjë dhe ajo nuk të prek më. Mua edhe me motivojnë ata që nuk kanë besim në mua sepse nuk dua t’ju jap të drejt. Dua t’ju tregoj që u nuk jam thjesht një vajzë me një opinion, por një vajzë e shkolluar dhe punëtore që donë ta bëjë një ndryshim.

A keni pasur ofertë tjetër nga  partitë politike përveç partisë së Gjelbër?

Deniza Miftari: Nga partia e Krishtere, Demokrateve dhe Socialistët.

A keni pasur dyshime që të bëheni pjesë e politikes?

Deniza Miftari: Po patjetër por kam mësuar që kur të jepet një shans i mirë e cila të ofron të ëndrra jote, atëherë është budallallëqe për të mos e bërë. Ëndrra ime dhe e babit tim gjithmonë ka qenë parlamenti apo Kombet e Bashkuara. Çdo hap që e bënë është një mësim, fitove apo jo.

Ju jeni personi i dytë më i votuar në listën e përbërë nga 38 persona, si ju bën të ndjeheni dhe cila është përgjegjësia juaj?

Deniza Miftari: Nuk prisja ti merrja ato vota sepse për shkak që humba babin nuk pata shumë kohë apo dëshirë që të bëjë fushat intensive. U përpoqa të jem prezente në të gjitha eventet por shumë herë nuk isha në disponim apo nuk kisha vullnet të merrja pjese. E pash që edhe partia më mbështeti sepse kishin shumë besim dhe shpresa në mu. Sidomos deputeti jonë dhe dy shok brenda partisë më mbështetën shumë herë dhe më dhanë vullnet që të jem pjesë gjatë fushatës. Mandej kur u zgjodha e kuptova se tash si numri 2 dhe femra e parë duhet ti përfaqësoj ata që më votuan dhe që i ndajnë të njëjtët ideale si unë. Un nuk besoj në politikën e korruptuar dhe nuk jam aspak egoiste. Besoj në një politik transparente. Jam vullnetare në një organizatë e cila i mbështet rininë me familje jo funksionale dhe pyetjet që bëhen aty apo nevojat që i shoh, gjithmonë i shprehja në komunë kur isha në aleancën e të rinjve. Jam e vetëdijshme që nuk mundesh të bësh mirë për të gjithë por kur e përfaqëson një grup minoritetesh, një grup që shumë shpesh harrohet duhet ta harrosh veten sepse ti je e vetmja mënyrë që ata të dëgjohen në parlament apo në komunë. Ashtu kam vepruar dhe ashtu do veproj gjithmonë. Ditën që bëjë politikë për interes timin, është koha që të largohem.

Sa kanë hapësirë që të përfshihen në politikë të rinjtë shqiptarë në Belgjikë??

Deniza Miftari: Ka hapësirë dhe mundësi gjithkund por problemi është që rinia shqiptare mendojnë që nuk kanë mundësi. Sipas eksperiencës sime: shoqet dhe shokët e mi shqiptar të cilët u rriten në një shoqëri të përzier me kultura të ndryshme dhe prejardhje socio-ekonomike të ndryshme, ata u shkolluan dhe u integruan më shumë se ata që u lidhën vetëm për shoqëri shqiptare. Ne rrethin tim pash më shumë shqiptar që rrinin vetëm së bashku dhe ajo vërehet edhe tani kur u pavarësuan nga prindërit. Ky është problem në të gjitha kulturat. Ka shumë paragjykime për ata që kanë guxim që të përzihen në shoqërinë belge dhe marrin pjesë në aktivitetet e tyre. Edhe unë mora shumë kritika kur rrija me shoqëri belge sepse e ‘tradhtoja’ prejardhjen time. Por, përkundrazi e gjithë shoqëria ime belge apo çfarëdo prejardhje e din që jam shumë krenare për prejardhjen time. Shumë shpesh i njoftoj me këngë shqiptare Apo me valle por edhe gjithmonë ju them ‘na shqiptaret e kemi gjakun e pastër, ne jemi më të mirët’. Për mua është me rendësi që ta përfaqësoj kombin tim në mënyrë të pastër dhe me krenari. Nuk kam arsyeje t’ju them këto gjëra shqiptareve sepse ata e din çka është shqiptari. Është interesante t’i njoftoj kulturat tjera me kulturën tonë për të cilën DUHET të jemi më shumë se krenar. d.m.th., kanë hapësirë dhe të gjitha partitë ishin të gatshëm të  përfshijnë njerëz me prejardhje të huaj por, e para, jo të gjithë janë të interesuar në politik, dhe e dyta, jo të gjithë besojnë që politika mund të jetë diçka e mirë dhe revolucionare.

A mund të na e përshkruash rrugëtimin tënd prej një politikaneje të suksesshme në diasporë?

Deniza Miftari: Pak a shumë e kam pasur edhe të lindur sepse si e vogël flisja për ‘drejtat e mija’ kur më qortonin prindërit. Babi shumë herët më tha që do të bëhem politikane apo avokate ndonjë ditë por edhe ai ishte aktivist kur ishte i ri dhe kryetar i shkollës së tij. Ishte një intelektual të cilin e admiroja dhe ai më inspiroj të drejtohem në këtë rrugë. Fillova si anëtare e bordit të shkollës në shkollën e mesme dhe këtë e vazhdova edhe në fakultet ku u bëra kryetare për 13 500 studentë të shpërndarë në 6 qytete në Flandres. Prej atyhit i përfaqësoj studentët tanë edhe në bordin akademik ku janë të gjithë profesorët tanë dhe drejtorët e kampuseve të ndryshme por edhe anëtarë e bordit të drejtorëve, organi me i lartë brenda organizatës së fakultetit tonë. Për këtë anëtarësi na u deshtë shumë me luftu sepse aty bisedohen gjërat më delikate dhe sekrete, por qe disa muaj e fituam betejën dhe jemi 2 studentë anëtar aty. ndërkohë kam qenë edhe aktive në aleancën e të rinjve, shkruaja kolumne për padrejtësi, organizoja proteste kundër partive raciste dhe fillova një organizatë për femra të huaja. Në kohën e lirë kisha dëshirë të përcjellja ndonjë seminar apo të lexoja sepse gjithmonë dua të jem up-to-date me çdo ndryshim në media. Kur shikoj mbrapa me duket që shumë herët fillova të bëjë gjëra që i bëjnë të mëdhenjtë dhe nuk e pata një rini ‘normale’. Bëra shumë sakrifica për të arritur këtu. Me kujtohet kur i pata 16 vjet e patëm mbrëmjen e maturës dhe unë vendosa mos të shkoj sepse gjatë provimeve i pata porosit disa libra të cilët mezi prisja ti lexoj. Mirëpo mbrëmje ishte atë dit kur përfundoj periudha e provimeve dhe unë qëndrova në shtëpi për ta filluar leximin. Ndoshta do pendohem sepse nuk e ‘shijova’ rininë si duhet por për momentin s`më vjen keq për asgjë. Pas angazhimit në aleancën e të rinjve u kyça në partinë e Gjelbër dhe i kombinoj të gjitha aktivitetet me shumë dashuri dhe përkushtim. Agjendën e kam gjithmonë të zënë, por ashtu më pëlqen dhe ashtu funksionoj më së miri.

A përfaqësohet mjaftueshëm zëri i diasporës shqiptare në Kosovë?

Deniza Miftari: Sipas meje jo mjaftueshëm dhe me vjen keq kur dëgjoj paragjykime që kanë shqiptaret në Kosovë për neve dhe ne për ata. Unë shumë kam dëshirë të bashkëpunojmë në mënyrë strukturale. Përse jo?

Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Deniza Miftari: Edhe Kosova ka shumë rini me kapacitete por të demotivuar sepse shteti nuk i jep mundësi. Më vjen keq ta them në këtë mënyrë por është një problem i madh që shumica e rinisë kanë diploma por nuk gjejnë punë.  Kosova është duke e përzënë rininë sepse ata nuk kanë perspektiv në Kosovë. Nuk e kuptoj si është e mundur që një shtet i cili është i gatshëm të bëhet pjesë e Evropës nuk i jep mundësi rinisë, ardhmërisë dhe nuk investon në ta. Puna më e madhe është atje lart, tani rinia aktivizohen por edhe këtë detyrë dua ta marr përsipër. Edhe në Belgjik ka organizata të cilat janë të gatshme të bëjnë bashkëpunime jashtë vendit dhe plani im është që të bëjë lidhje me Kosovë sa ta kem mundësinë.

“Bota sot”: Cilat janë pasionet e tjera tuajat përveç politikes?

Deniza Miftari: Mua më pëlqen leximi, arti, teatri dhe muzika klasike. Kam qejf të eci në natyrë apo të shëtisë me biçikletë. Më pëlqejnë gjërat e vogla dhe të thjeshta dhe shumë kam dëshirë të flas me njerëz të cilët janë të pasionuar në atë që bëjnë. Kam shumë pasione të ndryshme dhe e përshkruaj veten si një person i thjesht.

Kush ju ka përkrahur më së shumti në rrugën që keni nisur??

Deniza Miftari: Padyshim  babi. Babi ishte shoku im më i ngushtë dhe ai më motivoi për gjithçka që bëra në jetë. Ishte këshilltari im i preferuar dhe për shkak që kisha atë, nuk ndjeja nevojën që të shprehem me dikë tjetër. Ai ishte edhe fansi im më i madh dhe për të nuk mund të bëja kurrë asgjë gabim sepse isha e preferuara e tij. E vetmja gjë që më jep vullnet të vazhdoj ashtu siç kam qenë gjithmonë, është dashuria ime, falënderimi dhe respekti i pafund që kam për të dhe për jetën e tij. Ai është heroi im.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Deniza Miftari: Te diplomohem dhe të zgjedhim si parlamentare në Flandres. Dikur dua të bëhem profesorësh e shkencave sociale, pasi ti kem arritur ambiciet e mija politike por padyshim dua  të arrij në Kombet e Bashkuara. Para një viti isha finaliste për tu bërë ambasadore e rinisë flamane në Kombet e Bashkuara. Si çdo femër ëndërroj edhe të kem një familje por kjo është një ëndërr për më vonë. Tani kam plane tjera që janë primare.

Për fund cila është porosia jote për të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe Diasporë?

Deniza Miftari: Këtë e them çdo herë por për mua është aq me rëndësi sa që nuk mjafton ta them edhe 1000 herë. Kurrë mos u dorëzoni dhe mos lejoni dikë të të demotivojë, qoftë edhe një shtet i tërë. Jeta jonë është e gjatë dhe ne kemi kaq shumë kapacitete dhe mençuri për shkak që ne jemi gjenerata e parë në kurbet. Jemi të pasur në mijëra mënyra që paraja e Evropës kurrë nuk mund ta blejë. Nëse dështon të lutem përpiqu përsëri. Qoftë edhe 100 herë, përpiqu por ndryshoje mënyrën apo strategjinë por kurrë mos i ul standardet apo ëndrrën.

Për femrat shqiptare e kam një mesazh të veçantë. E di që femrat e forta marrin shumë kundërshtim në tërë botën, dhe në Kosovë kjo është edhe me aktuale por në fund të fundit kur ta arrish ëndrrën tënde, të gjithë janë krenare për ty dhe bëhesh shembull për gjeneratën e re. Është një thënie që më pëlqen, ‘Never give up because you never knoë that there is some little girl watching and wanting to be exactly like you’(Asnjëherë mos heq dorë sepse mund të jetë një vajzë e vogël duke shikuar dhe duke dashur të jetë tamam sikurse ti). Gjithmonë ji shembull qoftë edhe për një person. Për shembuj kemi nevojë. Figura representative të cilat janë sikur na dhe patën besim në vetvete. Mos harroni që ‘well behaved women, rarely made it to history’(gratë që sillen mirë, rrallëherë bëjnë histori).

Komentet
comments powered by Disqus