subscribe
Shkurte Fejza, thyen heshtjen, flet për herë të parë për prishjen e raporteve me Shyhrete Behlulin

Intervista

Shkurte Fejza, thyen heshtjen, flet për herë të parë për prishjen e raporteve me Shyhrete Behlulin

Nga: Arbnore Zhushi Më: 13 shtator 2017 Në ora: 13:35
Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza

Në këtë intervistë, Shkurta ka treguar edhe kur do të realizohet dasma e djalit të saj të vetëm, Arbërit. Ajo madje ka folur edhe për raportet me nusen e djalit, të cilën ka thënë se e konsideron si vajzën e saj.

Shkurta, poashtu ka dhënë detaje nga jeta e saj private, duke nisur nga fillimi i lidhjes së saj me tashmë bashkëshortin e saj Hajrushin, e deri tek arsyeja pse ia hoqi atij mustaqet.

 

“Kosovarja”: Muaji mars ishte i mbushur me festa të ditëlindjeve në familjen tuaj? Cila është ndenja e festave gati për çdo ditë?

Shkurte Fejza: Ashtu është, muaji mars me plotëkuptimin e fjalës është muaji i festave në familjen time. Festa fillon me 4 mars me ditëlindjen e Besianës, me 6 mars ditëlindja e Arbërit për të vazhduar me 7 mars me ditëlindjen e Hajrushit, që rastësisht koinçidon me Ditën e mësuesit dhe për ne është festë e veçantë.  Është e veçantë, sepse edhe unë edhe Hajrushi kemi punuar në arsim para shumë viteve dhe kjo na krijon një nostalgji, por edhe një krenari për arsye se na dërgojnë urime ish-nxënësit tanë. Vjen 8 marsi dhe kjo në familje llogaritet si festa ime dhe të gjitha urimet drejtohen nga unë. Normalisht, me rastin e 8 marsit hyjnë edhe angazhimet e mia si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë dhe normalisht edhe vjen lodhja nga puna. Sapo kalon kjo, vjen ditelindja e Gresës me 18 mars dhe kështu kalon ky muaj gati i tëri në festë dhe angazhime.

Image

“Kosovarja”: Jeni shprehur kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Si do të duhej të vepronin çka do të duhej të bënin institucionet e Kosovës për lirimin e tij?

Shkurte Fejza: Për temat politike unë hezitoj të flas, por në momente të caktuara nuk mund të ik, sepse vetë jeta është bërë politikë dhe politika ndikon shumë në jetën tonë, për të sotmen dhe sidomos të ardhmen e fëmijëve tanë. Lidershipi i Kosovës duhet të reagojë më fuqishëm dhe më me shumë kompetencë në këtë rast. Në këto rrethana sikur të vepronin më vendosmërisht, atëherë edhe shtetet tjera nuk do të silleshin me ne në këtë mënyrë. Të arrestohet një ish-kryeministër i një shteti që e ka njohur Franca me një fletëarrest të një shteti kriminal dhe agresor, ta arrestojnë  duke u bazuar në një fletearrest nga viti 2004 e që pas kësaj duke u bazuar në këto akuza ai është gjykuar nga Tribunali i themeluar po nga Franca dhe që është liruar i pafajshëm  dy herë, të arrestohet me fletarrest nga Serbia që edhe faktikisht, edhe juridikisht me rezolutë të OKB-së nuk e ka sovranitetin mbi Kosovën, kjo është një lojë e pastër politike pa asnje kriter, është  joligjore dhe shumë e pandershme. 

 

“Kosovarja”: Si i keni raportet me nusen e djalit tuaj?

Shkurte Fejza: Me të fejuarën e Arbërit kemi raporte jashtëzakonisht të shkëlqyera dhe e konsideroj me plotëkuptimin e fjalës si vajzën time. E dua shumë, sepse edhe e meriton. Erza është një vajzë nga Gjakova me plot edukatë dhe shumë e dashur. Është si ëngjëll dhe çka është shumë me rëndësi që i përket një familje shumë të mire, e cila poashtu ka dhënë shumë për këtë vend.

 

“Kosovarja”: Kur do të mund ta shohim dasmën e djalit dhe a do të bëhet ajo në mënyrë tradicionale apo më moderne?

Shkurte Fejza: Unë të them të drejtën kam pas dëshirë që dasma të bëhej shumë më përpara, por i respektoj vendimet dhe planet e tyre. Sigurisht vitin e ardhshëm do të bëhet edhe dasma, sepse atëherë përfundojnë disa plane të tyre rreth shkollimit të të dyve, sepse Arbëri vazhdon doktoratën dhe ajo sapo ka mbaruar masterin. Ata e lidhin edhe me punësimin, por në këto rrethana kjo vështire bëhet dhe për këtë aresye nuk i pres më. Dasma do të jetë nje dasmë normalisht modern, por gjithsesi e gërshetuar me elemente tradicionale shqiptare, ashtu si i bëjnë shoqëritë e qytetëruara, të cilat respektojnë edhe traditën e tyre. Me siguri asnjëherë me tallava, me shund e kiq sikur po rastisim me pa kohëve të fundit.

 

“Kosovarja”: Me bashkëshortin tuaj Hajrushin vërehet se keni harmoni dhe dashuri të madhe? Si ia keni dalur të mbani gjithë këtë raport të shkëlqyer gjatë gjithë këtyre viteve? Cili është sekreti i martesës së lumtur?

Shkurte Fejza: Me Hajrushin jemi njohur qysh në rininë e hershme dhe si duket ka ndodhur ajo dashuria ideale që mund ta hasim nëpër libra. Kjo është një fat i madh që i’u ndodhë njerëzve në këtë botë. Lirisht mund të them se ne e duam shumë njeri-tjetrin dhe ndoshta nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Nuk e them këtë sa për të thënë, por vërtetë mendoj kështu. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por edhe të veçantat vetëm sa e plotësojmë njëri-tjetrin. Kuptohemi shumë mirë në mes veti. Hajrushi është pjesëmarrës direkt në karrierën time, pasi ai të gjitha kapacitetet e veta intelektuale, përvojën e jashtëzakonshme menaxhuese dhe dijen e tij e ka koncentruar në karrierën time artistike. Ai ka një përvojë shumë të gjatë një kohë si profesor, pastaj si ekonomist profesionist, si menaxher i lartë në shërbimin civil të Kosovës dhe këtë më mirë e din ata që kanë punuar me të. Të gjitha këto përvoja i ka inkorporuar edhe në menaxhimin e karrierës sime. Ne kemi një jetë të përbashkët dhe uroj që edhe vitet e mbetura të jetës sonë të kalojnë kështu të lumtura.

 

“Kosovarja”: A mund të na tregoni për takimin e parë me bashkëshortin? Si lindi dashuria juaj?

Shkurte Fejza: Ne jemi nga i njëjti fshat dhe njohja ka ardhur në mënyrë spontane. Në kohën time ka qene si modë dhe kanë qene joshës të rinjtë që kanë qenë nxënës të dalluar dhe Hajrushi ka qenë i tillë. Përveç kësaj, ishte edhe mjaft simpatik dhe mua më pëlqente.

Njohja pak ma me sherr si i themi ne, ka ardhur në vitin 1979 gjatë xhirimit të emisionit të parë muzikor që e pati bërë Televizioni i Prishtinës me mua gjegjësisht me SHKA “Aferdita” nga Mushtishti. Xhirimet përcilleshin nga artëdashesit e fshatit, ku njëri prej tyre ishte edhe Hajrushi, por më vonë doli se ky nuk kishte ardhur vetëm për xhirime. Prej kësaj kohe ne jemi shoqëruar. Në fillim nëpër ato koncertet e bujshme ku unë këndoja, ndërsa Hajrushi ishte në rolin e moderatorit. Në këtë kohë ne takoheshim shumë shpesh edhe ashtu, sepse kemi pas shumë koncerte. Në fillim paksa si fshehtas, por kjo punë u vërejt dhe vazhduam edhe të uleshim bashkë në autobus gjatë udhëtimeve në koncerte dhe kjo dikur u legalizua për t’u mos ndarë kurrë.

 

“Kosovarja”: Pse ia hoqi Shkurta burrit mustaqet? Nga erdhi ndryshimi i pamjes së burrit, nga dëshira juaj apo vendimi i Hajrushit?

Shkurte Fejza: Ha ha (qesh). Kjo ka ndodhur rastësisht dhe papritmas pas 25 vitesh me mustaqe. Ishim në Durrës dhe një mëngjes del Hajrushi nga banjo dhe dhe më duket si më ndryshe. Për një moment sikur nuk e kisha të qartë çka kishte ndodhur dhe e pyes more po më dukesh si më ndryshe. Ai fillon me qesh dhe atëherë i them po ti nuk i paske mustaqet. Kur u zgjuan fëmijët, u bë shamatë kjo punë, sepse ata më ngacmonin duke thënë oj mami moj po na duket sikur nuk është babi.Atë ditë tërë ditën e shikoja dhe më vinte interesant. Më tha hajt se vetëm e provova si dukem kështu dhe prapë i lë të rriten deri sa të shkojmë në Prishtinë. Pastaj unë i propozova të vazhdojë kështu, por edhe ne ishim në pushim me miqtë tanë Xhavit Muçaj dhe zonja e tij doktoresha Ylfete Shatri dhe atë ditë i thamë Hajrushit “shiko ne juria kemi vendos që më mirë po dukesh pa mustaqe” dhe ashtu mbeti.

 

“Kosovarja”: Kemi dëgjuar shumë versione deri tani për prishjen e raporteve tuaja me këngëtaren dhe shoqen të cilin edhe jeni rritur Shyhrete Behlulin. Cila është e vërteta e gjithë kësaj? Pse u larguat?

Shkurte Fejza: Nuk do të dëshiroja të flas për këtë çështje. Unë kursehem nga këto gjëra në maksimum, sepse edhe si natyrë jam e tillë. Punoj dhe i shikoj punët dhe preokupimet e mia dhe të familjes dhe besoni mjaft po më dalin. Shpesh po më thonë edhe shoqet pak po del në qytet për kafe dhe vetëm ti po na mungon. Dhe e dyta nuk dëshiroj të flas për këto çështje, sepse dua të jem e kujdesshme që në asnjë mënyrë mos t’i rëndoj adhuruesit e mi e sidomos ata të Shyhretes, poashtu edhe ata që i kemi të përbashkët. Unë dhe Shyhrete Behluli jemi nga i njëjti fshat dhe kemi kënduar një kohë të gjatë bashkë, sepse jemi të një gjenerate. Poashtu ajo është kushërirë e Hajrushit. Kjo është ajo që na ka lidhur ne të dyjave. Por të gjithë ata që na njohin nga afër e din se ne si njerëz, kemi karaktere krejt të ndryshme. Kështu që është mirë që kemi bashkëpunuar dhe jemi shoqëruar një kohë të gjatë. Katër vitet e fundit pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm, ajo është larguar dhe mua nuk më ka mbetur hatri dhe e kam pranuar një gjë të tillë si një çështje krejt normale. Kur ka pas nevojë ajo për mbështetjen time, nuk jam kursyer asnjëherë. Tani ajo vazhdon rrugën e saj dhe unë timen pa patur nevojë që të merremi me njëra-tjetrën.

 

“Kosovarja”: A keni pranuar ftesë nga Shyhretja për dasmën e djalit të saj?

Shkurte Fejza: Jo nuk më ka ftuar në dasmë. Unë e kam ftuar në dasmën e vajzës sime dhe ajo nuk erdhi. Arsyet sinqerisht nuk i di, por kjo është e vërteta.

E kam pas ftuar me marrë pjesë në dokumentarin tim për 40 vjetorin e karrierës sime, e ka caktuar terminin dhe nuk ka ardh duke e lënë ekipin e xhirimit duke pritur.

 

“Kosovarja”: Po raportet me këngëtaren Remzie Osmani si i keni?

Shkurte Fejza: Me Remzien kemi raporte kolegiale. Këto raporte kanë vazhduar ashtu njëtrajtshëm për dekada pavarësisht se është më e re se unë. Pra, kam raporte normale si me shumë kolege tjera. Unë asnjëherë nuk kam pas prirje lokaliste dhe me qenë më e afërt me kolege nga ana ime apo të një rajoni. Kosova është shumë e vogël për të krijuar klane rajonale. Gjërat i shoh më ndryshe.

 

“Kosovarja”: Si është ndenja e këndimit me të bijën?

Shkurte Fejza: Është një ndjenjë shumë e veçantë, sepse është një përgjegjësi e dyfishtë. Sa për vete, aq edhe për vajzën. Nganjëherë natyra e nënës ta imponon që e harron vetvetën dhe tërë vëmendjen e koncetron te fëmija. Ka momente kur je shumë e lumtur se të duket se po këndon më mirë se unë dhe kur ndodhë, kjo është shumë ndjenjë e mirë. Me nje fjalë, është një kënaqësi e veçantë, sepse Gresa po këndon bukur dhe ka një kulturë muzikore me një formim artistik hap pas hapi, por të sigurt, pavarësisht se nuk është imponuar shumë.

 

 

“Kosovarja”: Cila është mikja më e ngushtë e Shkurtës?

Shkurte Fejza: Kur je person publik të bie që të njohësh dhe krijon shoqëri të shumtë. Kam mikesha që nga fëmijëria dhe shkolla fillore. Pastaj, kam miket nga shkolla e mesme dhe i ruajmë raportet të jashtëzakonshme dhe të rregullta. Kam shoqëri të krijuar gjatë koncerteve si në Kosovë, ashtu edhe jashtë në gjithë Europën dhe në Amerikë e gjetiu. Gjithashtu kam krijuar miqësi edhe me kolege. Kam mikesha ëe kam njohur përmes miqve të bashkëshortit etj. Miqtë për mua kanë një rëndësi të veçantë. Nuk do te dalloja ndonjë, sepse me secilën kemi raporte të veçanta. Është shumë e vështire të ndaj ndonjë.

Image

“Kosovarja”: Ju shohim çdo herë në formë të shkëlqyer përkundër kalimit të viteve? Cili është sekreti i pamjes së Shkurtës?

Shkurte Fejza: Mendoj se pamja është një çështje gjenetike, atë që ta ka falur Zoti. Unë dua të jem vetvetja në kuptimin që jam ajo që jam dhe gjërat nuk ndryshohen artificialisht. Normalisht që edhe trupi edhe fytyra duhet mirëmbajtur. Nëse mund të quhet sekret që thuani, atëherë mund të them se qëndron te ajo se i ruhem origjinalitetit, normalisht duke ndryshuar me kohën, sepse koha nuk të pyet. Nëse një njeri mendon se duhet të duket 20 vjet më e re, atëherë e ka gabim, sepse edhe nuk të ka hije. Është ndjenjë e mirë kur dukesh bukur për moshën që e ke.

 

“Kosovarja”: Kush përkujdeset për veshjen? Përzgjedhja juaj apo edhe e vajzave?

Shkurte Fejza: Sa i përket veshjes, kjo është një çështje shumë delikate dhe nuk është shumë e thjeshtë. Unë nuk kam ra pre e logjikës së tregut aktual dhe veshjen e konsideroj vetëm si një element të performancës. Kam të krijuar shijen time dhe kornizat brenda të cilave e përdori veshjen, pastaj vijnë sugjerimet e Hajrushit dhe sidomos vajzave. Pa e marr pëlqimin nga këta, nuk veshi asnjë kostum, sepse ata e dinë më së miri se çka më shkon mua, por parasëgjithash ata kujdesen për detaje të cilat ia shtojnë bukurinë. Bashkëpunoj me kreatore të ndryshme, të cilat i kuptojnë më së miri kërkesat e mia. Kohëve të fundit, këto kërkesa m’i plotëson kreatorja Kimete Haxhimurati nga Rahoveci dhe jam shumë e kënaqur dhe bashkëpunojmë shkëlqyeshëm.

 

Kosovarja”: Nga gjithë këngët e realizuara deri më tani, cila ju flen në shpirt më së shumti?

Shkurte Fejza: Me shumë punë dhe përkushtim unë kam arritur të kam megahitet më të mëdha në muzikën shqiptare. Kam pas këngen “Oj Kosovë nana ime” me mbi 1 milion audiokaseta të shitura dhe besoj se këtë rekord nuk e ka arritur askush as pas 30 vitesh. Pastaj këngën “Xhamadani vija vija” që është krijuar si kënga më e dëgjuar shqiptare. Pastaj këngen “Mora fjalë”, “Shqiptari të dua”, “Mbahu nëno mos ke frikë” e shumë këngë hite, kam realizuar mbi 500 këngë të mia. Kur bazohesh në këto, atëherë do të ishte e pamundur që të përcaktohesh për një këngë. Ndonjë këngë të duket më e këndshme, ndonjëra të duket se më tepër të flen në zemër, ndonjëra është më shpirtërore, tjetra është pranuar më tepër nga dëgjuesit dhe në fund të krijojnë një dilemë se cila të pëlqen ma shumë. Këngët i don të gjitha apo shumicën, sepse vet i ke krijuar dhe kanë diçka nga shpirti yt.

 

“Kosovarja”: Cilat janë planet për projektet e reja?

Shkurte Fejza: Unë punoj në kontinuitet dhe rezultatet dalin në rrugë e sipër. Momentalisht e kam përfunduar këngën me videoklip me Gresen dhe është pritur jashtëzakonisht mirë. Jam duke punuar rreth një albumi me këngë dasmash apo si i quaj unë shpesh projekte verore dhe normalisht po punoj për disa këngë që do t’i punoj më ngadalë e që ndonjëra mund të del si këngë ma e avancuar. Besoj se edhe ky vit do të sjell shumë surpriza të këndshme.