subscribe
Adela Lami: Kam bërë jetë të dyzuar prej vitesh, pas baletit, po përgatitem për karrierë në politikë

Intervista

Adela Lami: Kam bërë jetë të dyzuar prej vitesh, pas baletit, po përgatitem për karrierë në politikë

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 08:18
Adela Lami

Adela Lami është një nga balerinat sharmante, sa klasike në skenë aq edhe sportive në rrugë, ku bie në sy për stilin ekstravagant të veshjes. Si një nga vajzat më të ndjekura në rrjetet sociale, e cila ka lënë jetën e mrekullueshme në SHBA, për të marrë pjesë në spektaklin e kërcimit “Dancing with the stars”, tani që gara mbaroi për të dhe partnerin e saj, ajo vendos të flasë për jetën e saj.

Për kthimin në Manhatan, të ardhmen në politikë dhe partnerin në skenë e në jetë, Aderla rrëfen sekrete për “Panorama Plus”.

Të shohim në spektaklin “Dancing With the Stars”. Sa e shijon këtë garë dhe sa tensionuese është për ju balerinët të tregoni aftësitë tuaja nëpërmjet partnerëve të njohur?

Çdo garë në jetën time e kam shijuar plotësisht, pasi jam fanse e tyre dhe nuk e imagjinoj dot jetën pa to. Padiskutim, që është një garë tensionuese pasi nuk bëhet fjalë vetëm për aftësinë time, por për kiminë time me partnerin dhe aftësinë tonë të përbashkët si çift.

Si je ndjerë me një partner si stilisti Niko Komani, u përshtatët me njëri-tjetrin ashtu siç duhet të ndodhë mes një çifti?

Nëse them që e dua shumë, është e kuptueshme sa shumë përshtatemi me njëri-tjetrin.

Ndërkohë që ti dhe Niko jeni jashtë gare, mund të na përmendësh konkurrentët më të fortë VIP?

Tani jam jashtë gare, por mund të them që Aulona ka qenë e preferuara ime në këtë edicion.

Çdo të premte ju vendoseshit përballë jurisë që kryesohet nga balerini i njohur, Ilir Shaqiri. Është sfiduese të jesh para tyre dhe si do i komentoje ata të katërt?

Është emocionuese më shumë se sfiduese ajo ndjesi. Të katërt mjaft të zotë në profesionet e tyre. Unë sigurisht do të veçoja Ilirin, i cili përpos faktit që është i profesionit tim, ka qenë dhe njeriu që e ka vënë në pah aftësinë time si balerinë më shumë se kushdo tjetër dhe për këtë i jam pafundësisht mirënjohëse. Rrallë ekziston përkrahja e artistëve, që vijnë nga fusha të njëjta.

Ti jeton mes SHBA-ve dhe Tiranës. Cila është jeta që ti bën në Manhatan krahasuar me jetën këtu?

Kam jetuar një jetë të dyzuar prej vitesh, por tani mund të themi që zgjedh vetëm njërën, SHBA. Jeta ime në Tiranë ka qenë më shumë se e mrekullueshme, por është një etapë që tashmë duhet mbyllur. Jeta në Manhattan nuk ka fjalë për t’u përshkruar.

Ke arritur të kesh lidhjet me njerëzit e duhur dhe çfarë synon në SHBA, sa i takon karrierës së një balerine?

Kam ecur me hapa të vegjël, por shumë të sigurt. Mendoj se deri më tani kam njohur njerëzit e duhur dhe njerëzit që më duhen. Koha do e tregojë zgjedhjen time më mirë, pasi më pëlqen të flas me vepra, siç e kam bërë gjithmonë.

Të kemi parë në disa foto të argëtohesh me gazetaren e re të sportit, Lei Krajen. Çfarë ju lidh bashkë?

Lei është mikja ime, një nga njerëzit e afërt të zemrës sime. Me të më lidh pothuaj çdo gjë dhe na ndan asgjë.

Duke parë statusin tuaj në rrjetet sociale, ke shkruar “single”. Është vështirë të gjesh personin e duhur sot dhe sa problem është të kesh një lidhje me një balerinë ambicioze si ty?

Koha po tregon që nuk është më e lehtë të gjesh personin e duhur ose nëse e gjen, ta mbash atë. Mund të them që jam në një fazë të jetës që kjo çështje nuk është as në planet e mia dytësore, prej faktit që jam plotësisht e fokusuar tek Adela dhe karriera. E sigurisht, kjo e bën të vështirë për mua të kem një lidhje, por edhe për dikë të jetë në lidhje me mua.

Deri tani, cili ka qenë balerini apo personi që je ndier një trup i vetëm në skenë dhe në jetë me cilin tip mashkulli dëshiron të bëhesh një?

Pas pothuaj 20 vitesh që kërcej, balerini i cili është “unë” kur kërcej dhe e anasjellta është Krisi Dalipi. Ne jemi një trup i pandashëm në skenë. Përsa i përket jetës, jam një e plotë, nuk më mu-gon asnjë gjysmë.

Pas karrierës si balerinë, çfarë ke menduar të bësh më tej?

Të vazhdoj karrierën si diplomate dhe politikane, për të cilën kam studiuar dhe do të vazhdoj të studioj. Mendoj se gjithmonë do të jem mes këtyre dy botëve kaq të njëjta, por dhe të ndryshme njëkohësisht.

Image