subscribe
Ende në pritje të shpirtit binjak, Osman Imeraj së shpejti me bashkëpunim e album

Intervista

Ende në pritje të shpirtit binjak, Osman Imeraj së shpejti me bashkëpunim e album

Më: 30 maj 2018 Në ora: 15:28
Osman Imeraj

Është një këngëtar i njohur dhe i dashur për publikun, i cili këndon prej vitesh. Interpretimi live dhe zëri i veçantë është ajo që e dallon nga kolegët e tjerë të estradës. Bëhet fjalë për këngëtarin simpatik Osman Imeraj, i cili së fundmi ka publikuar këngën e re me videoklip, një baladë të titulluar “Fund me lot”. Për këngën, angazhimet në muzikë dhe jetën private, ai ka folur në këtë intervistë për gazetën “Bota sot”.

Bota sot: Së fundmi keni publikuar këngën “Fund me lot”. Na trego më shumë për këngën, me kënd keni bashkëpunuar?

Osman Imeraj: Po kënga "Fund me lot" është projekti im me i ri. Këtë herë kam bashkëpunuar me Kreshnik Avdiun për tekst dhe muzikë, ndërsa orkestrimi është bërë nga Labinot Mezini, studio Labi.

Bota sot: Ku është xhiruar klipi dhe nga kush?

Osman Imeraj: Klipi është xhiruar në Mal të Zi, në Budva, Kotorr, Ulqin. Ndërsa për realizimin e klipit kemi zgjedhur të bashkëpunojmë me MagicPictures, Bardh Gashi.

Bota sot: E gjen veten më mirë në këngë balade apo ritmike?

Osman Imeraj: Baladat janë ato që nxjerrin në pah aftësitë e shumë këngëtarëve si në interpretim ashtu dhe vokal. Por mendoj që të dy zhanret më shkojnë mirë edhe pse në sy dhe në vesh të njerëzve baladat më shkojnë kogja.

Bota sot: Je i angazhuar edhe në dasma, së fundmi edhe mbrëmje të maturës. Ku ndihesh më mirë, në cilat ahengje?

Osman Imeraj: Unë për vete këndoj në gjitha ahengjet çfarë do lloji të jenë ato. E rëndësishme të këndohet dhe të bëhet qejf , s'ka rëndësi se a je në dasmë apo në ndonjë mbrëmje.

Bota sot: Të kemi parë që këndon live nëpër mbrëmjet që mbanë. Sa është e vështirë dhe çfarë mendimi ke për performancat playback në koncerte?

Osman Imeraj: Unë gjithmonë këndoj live ngase në eventet, mbrëmjet e ndryshme ku unë jam prezent, gjithmonë kërkohet interpretimi live. E vështirë nuk është aspak sepse u bë kohë që e bëj këtë punë. Ndërsa për performancat playback s'di çka të them, këtë e bëjnë më së shumti këngëtarët e rrymave tjera ku ndoshta në pamundësi të krijimit të ndonjë bendi muzikor, detyrohen të këndojnë playback.

Bota sot: Na trego një moment të sikletshëm/interesant nga ndonjë koncert, dasmë apo mbrëmje mature që të ka ndodhur.

Osman Imeraj: Ka shumë momente interesante e qesharake pa diskutim por që gjithmonë i japin lezet edhe ndejave, ndonjë moment në veçanti nuk po di se çfarë të përmend, por që ka sigurisht që ka, por janë të lezetshme gjithmonë.

Bota sot: Çfarë planesh ke pas këngës “Fund me lot”? Do ta lësh për verë me kaq apo do të ketë ndonjë këngë më ritmike verore?

Osman Imeraj: Pas këtij projekti, sigurisht se do të ketë edhe projekte tjera. Unë tash do ta lansoj edhe një album live për dasma dhe po ashtu këtë verë do të kem edhe një bashkëpunim së shpejti.

Bota sot: Me siguri ke shumë fanse femra. A e ka gjetur Osmani ende shpirtin binjak apo është në kërkim?

Osman Imeraj: Ka shume për çka edhe i falënderoj që e dëgjojnë muzikën time. Ndërsa shpirti binjak se di se ku është, po pres…

Bota sot: Një mesazh për fund për lexuesit e gazetës “Bota sot”.

Osman Imeraj: Mesazhi im është: Duajeni sa më shumë njëri tjetrin dhe jepni jetës kuptim duke dhënë shumë dashuri.

Image
Komentet
comments powered by Disqus