subscribe
Nertila Kapaj: Jeta ime luksoze edhe pas vdekjes së të dashurit, pasioni për djemtë e këqij dhe planet në kinema

Intervista

Nertila Kapaj: Jeta ime luksoze edhe pas vdekjes së të dashurit, pasioni për djemtë e këqij dhe planet në kinema

Më: 30 prill 2018 Në ora: 16:31
Nertila Kapaj

Modele, aktore dhe biznesmene që pëlqen ta bëjë jetën jashtë zhurmës mediatike, pasi thotë se është e lumtur dhe i ka të gjitha. Nertila Kapaj në rrjetet sociale njihet si “vajza e 500 trëndafilave”, dhurata që i bënte shpesh i dashuri i ndjerë, Jetnis Dollapi. Pas rolit si e dashura e Arben Derhemit, bosit të drogës në serialin televiziv “Ti mund të më quash Xhon”, ajo do të jetë pjesë e të tjera produksioneve kinematografike.

Pak para verës ka realizuar disa foto të nxehta dhe bashkë me to rrëfen për jetën e një vajze që shpenzon shumë para për jetën luksoze, preferencat për djemtë e këqij dhe njeriu special, me të cilin dëshiron të krijojë familje:

Në fotot e tua të fundit tërheq vëmendjen me pozat e nxehta. Si e percepton ti joshjen femërore?

Femra dhe joshja janë një binom që përshtaten shumë mirë së bashku. Gjuha femërore e trupit është diçka shumë tërheqëse. Nga ana tjetër, arti i joshjes është diçka e lindur te femrat. Dhe nuk ka asgjë të keqe të jemi të vetëdijshme për sensualitetin që kemi.

Merr mesazhe private dhe çfarë komplimentesh të bëjnë zakonisht?

Mesazhet që marr janë të pafund, komplimentet nga meshkuj, por shumë prej tyre janë femra që inspirohen deri në detaje. Nuk di të veçoj ndonjë kompliment të veçantë, sepse janë aq shumë sa, të them të drejtën, shumë prej tyre nuk kam kohë t’i lexoj.

Trup të kuruar dhe tatuazhe, çfarë simbolesh apo histori ke pikturuar në trupin tënd?

Për trupin kujdesem pak, por e gjitha është çështje gjenetike. Ndërsa, përsa i përket tatuazheve është çështje e gjatë për t’u diskutuar këtu.

Ndjen xhelozinë e femrave që të rrethojnë dhe ç’rreziku i druhesh nga zilia?

Xhelozia është një sëmundje që ka prekur pjesën më të madhe të femrave. Kjo ndodh për shkak të mungesës së besimit që kanë në vetvete. E vërteta është që jeta ime është aq e lumtur, sa këto janë veç thërrime për mua.

Në filmin “Ti mund të më quash Xhon”, luaje të dashurën e guximshme dhe tip të Arben Derhemit. Në filmin e ardhshëm ç’rol do të dëshiroje të luaje?

Në filmin e ardhshëm… them t’ia lëmë kohës, por çdo roli di t’i përshtatem dhe e bëj me pasion.

Përveç pozave si modele dhe aktrimit, merresh edhe me biznes. Si është të drejtosh kompaninë tënde në Shqipëri?

Të drejtosh një biznes në Shqipëri është shumë e vështirë. Ke përgjegjësi të madhe, sidomos kur ke shumë bërryla që mundohen të të fundosin.

Bën jetë luksoze dhe sa para shpenzon në muaj për një jetë të tillë?

Jeta ime është ndërtuar për të qenë luksoze dhe nuk arrij dot kurrë të bëj një bilanc për shpenzimet, sepse janë shumë. Nuk bëj kurrë llogari, sepse më shumë do më lodhnin dhe prapë aq shumë do të ishin gjithsesi.

Pas ndarjes nga jeta e partnerit, ka lindur një dashuri e re për ty?

Kam thënë që ai ka qenë e vetmja dashuri për mua dhe çdo gjë tjetër ka qenë veç tallje culo.

Je shprehur se të pëlqejnë djemtë e këqij. Ç’të tërheq aq shumë tek ata dhe ç’mund të provosh ndryshe në krah të një djali të keq?

Më pëlqejnë djemtë e këqij, në kuptimin e mirë të fjalës. Unë e dua mashkullin shumë burrëror, që sot janë të rrallë. Në krah të një burri të vërtetë ndihesh femër.

Martesa është një plan në jetën tënde dhe kriteret që duhet të plotësojë burri yt i ardhshëm?

Për mua, familja është e shenjtë dhe e shtrenjtë. Por duke qenë një femër shumë tekanjoze, ai, që do të jetë në krahun tim, duhet të jetë me të vërtetë shumë i veçantë.