subscribe
Komedia romantike bashkon emrat e mëdhenj të kinematografisë shqiptare

Film

Komedia romantike bashkon emrat e mëdhenj të kinematografisë shqiptare

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 14:59
Aktoret

Një film artistik me metrazh të plotë ka bashkuar yje të kinematografisë shqiptare.

Tinka Kurti, Ema Andrea, Gazmend Paja, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Margarita Xhepa si dhe emra të njohur janë bërë pjesë e filmit ‘Yjet e së ardhmes’.

Komedia romantike muzikore nga regjisori Emond Topi do jetë në të gjitha kinematë e vendit që nga data 14 dhjetor.

Por, për çfarë flet filmi? 

Robi (40 vjeç) është një artist i “pashpërthyer” ende. Prej vitesh bën muzikë, por akoma nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “ Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit: sherri në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu. Kur pas shumë vështirësish, gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën, të cilën prej kohësh e “torturon” përnatë me muzikën tij.

Toleranca dhe temperamenti prej artisti e miqësojnë shpejt me të moshuarit, të cilëve u rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afrojnë me vajzën, e cila zë ta njohë nga një plan tjetër. Po puna është e lodhshme dhe me orë të zgjatura , mungesat e shpeshta bëjnë, që formacioni i tij ta zëvendësojë me një kitarist tjetër. Tentativa e tij për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje, drejtoresha e largon nga puna dhe njofton gjykatën.

Pa formacion dhe me një këmbë në burg, i duket se ëndrra u gropos përfundimisht, pavarësisht dashurisë me vajzën, derisa “miqtë“ e tij të moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta. Sado e çmendur në fillim, ideja funksionon: ata arrijë të ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që i mbikëqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi” dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit “heronj“, të zgjedhurit e publikut dhe të të rinjve që pavarësisht moshës sfidojnë rregullat, moshën, vdekjen…