subscribe
Karriera e regjisorit Steven Spielberg vjen në një dokumentar

Film

Karriera e regjisorit Steven Spielberg vjen në një dokumentar

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 23:01
Steven Spielberg

Steven Spielberg ka qenë një prej producentëve më të njohur e më të suksesshëm të Hollywoodit që nga fillimi i viteve ’70, tani, ai do të dalë para kamerave për të folur për karrierën e tij, në një dokumentar të ri të “HBO”-së, të titulluar “Spielberg”.

“Është një eksperiencë shumë interesante të jesh subjekt i një filmi, kur ke kaluar të gjithë karrierën duke kërkuar subjekte filmash. E papritur, je ti subjekti”, tha Steven Spielberg, regjisor.

Producenti ikonë, që qëndron pas sukseseve si “E.T. Jashtëtokësori”, “Shpëtoni ushtarin Ryan”, etj., rrëfen eksperiencën e tij në prodhimin e filmave dhe tregon sesi jeta e tij personale ndikonte në zgjedhjet kinematografike.

Ai shpjegon edhe sesi funksionon puna e tij. Spielberg mori pjesë në një premierë ekskluzive për yjet në studiot e kompanisë “Paramount”, i shoqëruar nga producentja e dokumentarit, Susan Lacy. “Nuk kishim folur për të më parë. Shkëlqimi i një artisti është të kuptosh artistin tjetër. Ai asnjëherë nuk më bëri asnjë pyetje. Nuk më pyeti se çfarë filmi po bëja. E ky është një nivel besimi që të lë pa fjalë”, thotë Susan Lacy, producente e dokumentarit.

Vlerësimet për regjisorin dhe producentin e madh të “Hollywood”-it vijnë edhe nga bashkëpunëtorët e tij. “Ai më ndryshoi jetën. Ky është ‘Hollywood’-i. Ai është njeriu që më punësoi mua. I pari! Ai krijoi një rol në ‘Shpëtoni ushtarin Ryan’, për mua”, tha Vin Diesel, aktor.